Rezoluta 12-44 e OKB-së ka qenë në fokus të debatit mes presidentëve Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç, të enjten në Këshillin e Sigurimit. Duke marrë fjalën i pari në seancën e zhvilluar në Pallatin e Qelqtë, Vuçiç citoi një nen të rezolutës që parashikon çarmatosjen e të gjitha grupeve të tipit ushtarak në Kosovë. Vuçiç theksoi se, krijimi i ushtrisë nuk lejohet në asnjë dokument të OKB-së dhe u shpreh i habitur për mbështetjen që Prishtina ka marrë në këtë aspekt.
“Rezoluta parashikon çarmatosjen jo vetëm të UÇK-së, por të të gjitha grupeve të armatosura shqiptare të Kosovës. Por ata themelojnë ushtrinë dhe çuditërisht mbështeten nga shumë vende. Në cilin dokument e gjetën këtë të drejtë? Nuk ka”, tha Vuçiç.
Presidenti serb shtoi se dështimi i Kosovës për t’u anëtarësuar në INTERPOL nuk ndodhi për faj të Serbisë. Nga ana e tij, Thaçi deklaroi se klasa politike kosovare i është referuar pakos së Ahtisarit në vendimin për formimin e ushtrisë dhe ka shtuar se rezoluta 12-44 nuk e pengon krijimin e saj.
“Rezoluta 12-44, pika 15 i referohet vetëm dëmilitarizimit të UÇK-së, që u mbyll në kohë rekord. Pakoja e Ahtisarit, që ishte i dërguari i posaçëm i Këshillit të Sigurimit, në nenin 52 nënvizon të drejtën e Kosovës për të pasur ushtri. Pastaj, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i marrë me iniciativë të shtetit serb, nënvizon qartë se Kosova nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare me shpalljen e pavarësisë, ndaj është e drejtë e saj të themelojë ushtrinë”, deklaroi Thaçi.
Sikurse pritej, Rusia doli në mbështetje të Serbisë, me ambasadorin e saj që foli për rrezikun që sipas tij vjen nga elementët radikalë në Kosovë. Ndërsa ambasadorja britanike Karen Pirs dhe përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara mbështetën Kosovën duke nënvizuar se një vend i pavarur dhe sovran ka të drejtë të krijojë ushtrinë e tij. Diplomati amerikan theksoi se, rezoluta 12-44, që kërkon çarmatosjen e fraksioneve kosovare, nuk vlen në rastin e FSK-së.
“Rezoluta 12-44 nuk aplikohet për FSK-në. FSK-ja nuk është UÇK-ja dhe as ndonjë grup tjetër i armatosur”, deklaroi zyrtari amerikan./abcnews.al