Pas nisjes së luftës në Lindjen e Mesme, Telegrami është bërë platforma që serbët kanë shfrytëzuar për të t’i bërë thirrje Iranit që të sulmoj bazën ushtarake amerikane Bondsteel në Kosovë.
Lidhur me këtë çështje Misioni NATO-s në Kosovë ka reaguar duke theksuar se për momentin në forcat e saj nuk ka ndryshime të rëndësishme duke lënë të kuptohet se situata është e qetë dhe nuk ka nevojë për forca shtesë.
“Forca dhe pozicioni i KFOR-it rishikohen dhe përshtaten periodikisht, ndërsa rrethanat evoluojnë, në mënyrë që misioni të mbetet i përshtatshëm për qëllimin. për momentin nuk ka ndryshime”, thuhet në reagimin e KFOR.
NATO kujton rolin e ShBA-së në stabilitetin rajonal. “SHBA vazhdojnë të luajnë një rol themelor në mbështetje të sigurisë në Kosovë dhe stabilitetit rajonal. shtetet e bashkuara kanë pothuajse 600 trupa të vendosura në këtë mision”.
Misioni ushtarak i Aleancës Veriatlantike thekson se vazhdon të përmbushë mandatin e tij sipas Rezolutës 12/44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të ndihmuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të mbrojtur për të gjithë njerëzit në Kosovë.
Kampi Bondsteel është selia operative e forcave të KFOR në Kosovë. Ajo ndodhet në afërsi të Ferizajt, kryesuar nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara dhe e mbështetur me trupa nga Greqia, Italia, Finlanda, Hungaria, Sllovenia, Polonia, Zvicra, Turqia dhe Shqipëria.


