Sekuestrohet 2.6 miliardë euro kokainë në Gjermani, arrestohen 7 persona. Droga vinte nga Amerika Latine

schedule10:59 - 18 Qershor, 2024

schedule 10:59 - 18 Qershor, 2024

Prokurorët gjermanë kanë njoftuar sekuestrimin e kokainës me vlerë 2.6 miliardë euro (2.2 miliardë £) nga disa anije me kontejnerë dhe kanë arrestuar 7 persona në atë që ata e quajtën sekuestrimi më i madh i kokainës ndonjëherë në vend.

Ata sekuestruan 35.5 ton kokainë vitin e kaluar pas një njoftimi nga autoritetet kolumbiane. Ata gjetën 25 ton kokainë në portin në qytetin verior të Hamburgut, 8 ton të tjerë në portin holandez të Roterdamit dhe pothuajse 3 ton në Kolumbi. Droga ishte e fshehur mes perimeve dhe frutave.

Sekuestrimet e drogës nuk ishin njoftuar më parë.

Duke punuar me Europolin në një operacion të njohur si OP Plexus, autoritetet gjermane identifikuan tetë të dyshuar kryesorë: dy gjermanë, dy turq dhe të tjerë nga Azerbajxhani, Bullgaria, Maroku dhe Ukraina.

Të dyshuarit, të moshës ndërmjet 30 dhe 54 vjeç, u arrestuan javët e fundit dhe besohet se kanë qenë pjesë e trafikut të drogës. Identiteti i tyre nuk u  bë publik në përputhje me rregullat gjermane të privatësisë.

Policia sekuestroi disa telefona celularë dhe laptopë, si dhe shufra ari, 23,300 euro para në dorë dhe një makinë Porsche me vlerë rreth 250,000 euro.

Një biznesmen nga shteti gjerman perëndimor i Rhein-Westfalisë së Veriut krijoi kompani për t’i bërë transportet të dukeshin të ligjshme, thanë ata.

“Konkretisht, të dyshuarit akuzohen për organizimin e transportit të 10 kontejnerëve me sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine drejt Evropës në periudhën nga prilli deri në shtator 2023 me bashkëpunëtorë të tjerë ende të panjohur që dyshohet se banonin në Turqi nëpërmjet kompanive frontale të ngritura për këtë qëllim”, thuhet në një deklaratë me shkrim të prokurorëve sipas The Guardian.

Ministri i Drejtësisë i shtetit, Benjamin Limbach, vlerësoi kapjen e madhe të kokainës në një konferencë shtypi në qytet.

“Kjo është një goditje ndaj kriminalitetit të organizuar ndërkombëtar,” tha Limbach. “Është një goditje e saktë që lëndon bosët e drogës.”

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!