Sekuestrohen pasuri me vlerë 1 milion euro në Durrës, 3 në pranga (EMRAT)

schedule13:44 - 19 Tetor, 2023

schedule 13:44 - 19 Tetor, 2023

DURRËS- Në kuadër të një hetimi, i nisur në 2017 nga pala italiane janë arrestuar tre shqiptarë, të cilët ishin pjesë e një grupi kriminal që merrej me trafikim të lëndëve narkotikëve.

Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të sekuestrojë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të këtyre shtetasve dhe familjarëve të tyre.

Këto pasuri, të cilat kapin vlerën mbi 1 milion euro, dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e 3 shtetasve të vënë në pranga. Bëhet fjalë për shtetasit Emirjan Beu, Syrjan Tola dhe Dorian Beu.

Pasuritë e sekuestruara janë 2 shoqëri tregtare me objekt fushën e peshkimit, së bashku me asetet e tyre, aktivitetet tregtare të 3 subjekteve fizike, së bashku me asetet e tyre, 1 anije peshkimi, 1 apartament, 1 garazh, 1 njësi shërbimi bar-kafene dhe 3 njësi të tjera shërbimi të ndryshme.

Njoftimi i policisë: 

Vijon megaoperacioni policor i koduar “Highway”, i iniciuar nga Policia italiane, që në vitin 2017, për shkatërrimin e një grupi kriminal për trafikimin e narkotikëve. Kjo fazë e megaoperacionit u finalizua si rezultat i shkëmbimit intensiv të informacioneve dhe veprimeve të përbashkëta operacionale, të Policisë së Shtetit me Policinë italiane.

Policia italiane ka lokalizuar në Milano dhe ka vënë në pranga, 3 shtetas shqiptarë që ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të këtij megaoperacioni.

Ndërkohë, strukturat hetimore të Policisë së Shtetit kanë gjurmuar dhe kanë sekuestruar në Durrës, pasuri të ndryshme, me vlerë mbi 1 milion euro që këta 3 shtetas dhe familjarët e tyre kishin në pronësi.

Si rrjedhojë e bashkëpunimit intensiv dhe të pandërprerë, të konkretizuar me skuadra të përbashkëta hetimore dhe me shkëmbim të informacioneve në kohë reale, specialistët e Sektorit për Hetimin e Grupeve Kriminale, të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kontribuan për finalizimin e një tjetër faze të megaoperacionit ndërkombëtar antidrogë të koduar “Highway”.

Për këtë fazë, si rezultat i shkëmbimit të informacioneve të siguruara nga specialistët e këtij Sektori, me partnerët italianë, u bë i mundur lokalizimi në Milano, dhe vënia në pranga nga Policia italiane, e 3 shtetasve shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar: . Në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Highway”, të iniciuar në Itali, në vitin 2017, këta shtetas akuzohen si pjesëtarë të një grupi kriminal me veprimtari në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Mbi bazën e kësaj akuze, si dhe në zbatim të vendimit nr. 395, të datës 05.10.2023, të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, u gjurmuan dhe u sekuestruan në Durrës, pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të këtyre shtetasve dhe familjarëve të tyre. Këto pasuri, me vlerë mbi 1 milion euro, dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e 3 shtetasve të vënë në pranga.

Konkretisht, GjKKO-ja ka caktuar masën “Sekuestro preventive”, për pasuritë si vijojnë: 2 shoqëri tregtare me objekt fushën e peshkimit, së bashku me asetet e tyre, aktivitetet tregtare të 3 subjekteve fizike, së bashku me asetet e tyre, 1 anije peshkimi, 1 apartament, 1 garazh, 1 njësi shërbimi bar-kafene dhe 3 njësi të tjera shërbimi të ndryshme.

Materialet procedurale i kaluan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit vijon angazhimin maksimal, si partnere e besueshme, për arrestimin e të gjithë shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në kuadër të megaoperacionit “Highway”, si dhe për gjurmimin dhe sekuestrimin e të gjitha pasurive në vendin tonë, që kanë si burim veprimtarinë kriminale të këtyre shtetasve.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!