Gjykata e Lezhës ka vendosur sekuestro preventive për dy pallate në ndërtim dhe pasuri të paluajtshme, pasi dyshohet se janë siguruar në kundërshtim me ligjin. Bëhet fjalë për një pallat 5 katësh dhe një tjetër 7 katësh. Ndërtesat janë në pronësi të biznesmenit me iniciale A. U. Dyshohet se lejet e ndërtimit të këtyre pallateve janë të falsifikuara.
Gjykata ka vendosur masën e sigurimit pasuror “Sekuestro preventive edhe për një truall me sipërfaqe 1146.6 m2, në lagjen “Besëlidhja” të Lezhës. Trualli është në pronësi të biznesmenit me iniciale B. D.
Ky proçedim është rezultat i bashkëpunimit mes Policisë së Lezhës dhe Prokurorisë së këtij qyteti, të cilët do të kryejnë veprimet e mëtejshme në lidhje me këto dy raste “Ndërtim i paligjshëm” “dhe “Falsifikim dokumentesh” .
Njoftimi i Policisë
Me datë 13.04.2018, nga specialistët e Seksionit kundër krimit ekonomik financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, u ekzekutua Urdhëri datë 13.04.2018, i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për ekzekutimin e vendimit penal Nr. 127 datë 13.04.2018 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë , e cila ka vendosur masën e sigurimit pasuror “,Sekuestro preventive” mbi pasuritë e paluajtshme, pallate në ndërtim të një shoqërie sh.p.k. në Lezhë , në adresë Kune Shëngjin, në pronësi dhe administrator të shtetasit A.U.
Konkretisht:
– Një pallat 5 katësh dhe në proces kati i fundit , me sipërfaqe të sheshit të ndërtimit 2000 m2.
– Një pallat 7 katësh dhe në proces kati i fundit , me sipërfaqe të sheshit të ndërtimit 4712m2.
Sekuestroja e këtyre pasurive u bë pasi, nga vendimi penal i Gjykatës, lejet e ndërtimit të këtyre pallateve kanë rezultuar të siguruara në kundërshtim me ligjin, të fallsifikuara.
Gjithashtu, po më datë 13.04.2018, nga specialistët e Seksionit kundër krimit ekonomik financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, u bë ekzekutimi i urdhërit datë 13.04.2018, i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë , për ekzekutimin e vendimit penal Nr. 128 datë 13.04.2018, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, e cila ka vendosur masën e sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” mbi pasuritë e paluajtshme ( dhe në gjendjen faktike në të cilën ndodhet sot objekti i ndërtimit, në ndërtim e sipër ) , konkretisht Truall me sipërfaqe 1146.6 m2, në adresë lagje “Besëlidhja” Lezhë, në pronësi të shtetasit B.D.
Arsyeja e vendosjes së kësaj sekuestro është bërë pasi , nga vendimi penal i Gjykatës, leja për ndërtim ka rezultuar e siguruar në kundërshtim me ligjin.
Njëkohësisht, pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lezhë, u kryen veprimet duke vendosur kufizimet përkatëse në zbatim të vendimit penal të Gjykatës.
Ky proçedim policor me rezultat “Sekuestro preventive” , është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes Policisë së Lezhës e cila ka referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, materialet proçeduriale mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm , në lidhje me këto 2 raste për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” “dhe “Fallsifikim dokumentash” si dhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor e cila ka regjistruar proçedimin penal duke kryer më pas veprimet e mëtejshme.