Policia e Shtetit ka sekuestruar një numër të konsiderueshëm flakadanësh, kapsollash dhe lëndësh të tjera piroteknike, në kuadër të masave të ndërmarra për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit Shqipëri-Poloni, dhe për parandalimin e futjes së sendeve të kundërligjshme në stadiumin “Air Albania”.
Policia ka marrë masa për shoqërimin në Komisariat, të shtetasve përgjegjës, si dhe për çdo rast tjetër që do të konstatohet gjatë kësaj kohe, do të merren masa për shoqërimin dhe procedimin penal të shtetasve përgjegjës.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë tifozët dhe sportdashësit, që kanë vendosur të ndjekin në stadium, ndeshjen e futbollit Shqipëri-Poloni, që në asnjë rast të mos mbajnë me vete, gjatë hyrjes në stadium, dhe që në asnjë rast të mos tentojnë të futin në stadium, sendet e mëposhtme: flakadanë apo lëndë të tjera piroteknike, sende të forta dhe metalike, monedha dhe banderola me përmbajtje raciste ose diskriminuese.
Gjithashtu, apelohet që tifozët dhe sportdashësit, që do të ndjekin ndeshjen në stadium, të mos mbulojnë fytyrën që bën të pamundur identifikimin e tyre, si dhe të mos dëmtojnë në asnjë mënyrë ulëset apo pajisje të tjera në stadium./abcnews.al