Kapen 1 milion paketa kontrabandë në portin e Durrësit

schedule13:06 - 21 Tetor, 2020

schedule 13:06 - 21 Tetor, 2020

Dy konteinerë me cigare kontrabandë, janë sekuestruar në Durrës.

Mësohet se gjatë një kontrolli të ushtruar në dy konteinerë tashmë të sekuestruar nga strukturat doganore, ngarkesa me 1.050.000 paketa cigare ishte me origjinë nga India.

Po ashtu bëhet me dije se ngarkesa me cigare ishte e pa pajisur me pullë fiskale të Shqipërisë apo të ndonjë vendi tjetër, ndërsa theksohet se nëse ky mall do të hidhej në treg, vlera e paketave të duhanit të sekuestruar në të dy konteinerët, sipas të dhënave të disponueshme, mbi të cilat janë llogaritur detyrimet doganore, kap shifrën e 168 mijë euro.

Nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave sqarohet se paketat ishin vendosur në dy konteinerë dhe do të tentonin të kalonin kontrabandë brenda Shqipërisë.

Deklaratë e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave,  Gent Gazheli:

Strukturat e Administratës Doganore kanë sekuestruar një sasi prej më shumë se 1 milion paketa cigare në Portin e Durrësit.

Pas një analize risku dhe dyshimeve të arsyeshme, mbi të dhënat e dokumentacionit shoqërues të ngarkesës, strukturat doganore ushtruan kontroll në dy kontejnerë të dyshuar, ku rezultoi ngarkesë prej 1.050.000 paketa cigare me origjinë nga India.

Vlerësoj se kjo është dhe në sajë të një bashkëpunimi dhe shkëmbimi informacioni në kohë reale me partnerët ndërkombëtarë.

E gjithë ngarkesa me cigare ishte e pa pajisur me pullë fiskale të Shqipërisë apo të ndonjë vendi tjetër.

Nëse ky mall do të hidhej në treg, vlera e paketave të duhanit të sekuestruar në të dy konteineret, sipas të dhënave të disponueshme, mbi të cilat janë llogaritur detyrimet doganore, kap shifrën e 168 mijë euro.(Ndërsa detyrimi doganor që duhej të paguhej kap shifrën 164 milion lekë)

E gjithë sasia u sekuestrua dhe rasti u referua në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprën penale, “Kontrabandë me mallra që paguajnë akcizë”  të parashikuar nga neni 172 dhe 190/3 të Kodit Penal.

Në bashkëpunim me  Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, po kryhen veprimet e mëtejshme hetimore.

Ky nuk është rasti i parë i kohëve të fundit që kapen mallra kontrabandë, sidomos për mallrat e akcizës.

Më lejoni që në këtë dalje të parë timen në pozicionin e  Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, të përcjell një mesazh për të gjithë qytetarët dhe operatorët ekonomikë, se Strukturat e Administratës Doganore do vijojnë të jenë të angazhuara tërësisht në zbatimin e detyrave funksionale që kanë.

Objektivi ynë është tolerancë zero ndaj çdo akti të paligjshëm dhe trafiqeve.

Çdo punonjës i Administratës doganore do të jetë në shërbim për të krijuar lehtë si dhe një klime të favorshme për sipërmarrjen, si dhe në funksion të konkurrencës së ndershme dhe barazisë para ligjit.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!