Policia e Tiranës ka goditur një rast të trafikimit të armëve të zjarrit, duke sekuestruar 12 pistoleta tip Glock dhe municion luftarak, të cilat dyshohet se do të shiteshin në zonën e Freskut, në kryeqytet.
Në pranga ka përfunduar poseduesi i armëve, Dukagjin Berisha 27-vjeçar nga Kosova.
Policisë i janë dashur disa javëve hetime, të bazuara në informacione që ka mbërritur në uniformat blu për trafikimin e armëve të zjarrit. Efektivët kanë lokalizuar automjetin e dyshuar në dalje të Unazës së Madhe, pranë mbikalimit të Tufinës, ku kanë ndërhyrë duke e ndaluar atë për kontroll.
Ne automjetit tip “Volkswagen”, që drejtohej nga 27-vjeçari, policia ka gjetur të fshehura 10 armë zjarri pistoleta Glock me municion luftarak, konkretisht nën kofanon e mjetit. Po në kuadër të këtij procedimi penal, janë sekuestruar edhe dy pistoleta të tjera Glock, duke e çuar në 12 numrin total të armëve të sekuestruara.
Dyshohet se i arrestuari është pjesë e një rrjeti më të gjerë të trafikimit të armëve ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.


