Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një 24 vjeçar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike në afërsi të shkollave, ndërsa ka sekuestruar 990 tableta ekstazi. Bazuar mbi provat e grumbulluara gjatë hetimit 3 – mujor me metoda speciale, rezultoi se 24 – vjeçari kishte aktivitet kriminal në shitje dhe prodhimit të narkotikëve, Strukturat e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Narkotikëve. Operacioni policor i koduar “Pedonalja” u krye me metoda speciale të hetimit.
Njoftimi i Policisë
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër në vijim të punës për parandalimin, gjurmimin, zbulimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së narkotikëve, si dhe bazuar në informacionet e mara në rrugë operative se një shtetas shpërndante lëndë narkotike Ekstazi në afërsi të shkollave të mesme dhe Universitetit, referuan materialet në Prokurori, ku dhe u regjistrua procedimi penal për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.
Bazuar mbi provat e grumbulluara gjatë hetimit 3 – mujor me metoda speciale, si rezultat i të cilave rezultoi se 24 – vjeçari kishte aktivitet kriminal në drejtim të shitjes dhe prodhimit të narkotikëve, Strukturat e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, zhvilluan dhe finalizuan me sukses operacionin policor “Pedonalja”.
Si rezultat i operacionit, në lagjen “Kongresi i Përmetit” Shkodër, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit M. K., 24 vjeç, banues në Shkodër, ku gjatë kontrollit Policia i gjeti një sasi prej 310 copë tableta të dyshuara si lëndë narkotike “ekstazi”, të cilat po i shpërndante.
Në vijim të kontrollit, në një banesë që ky shtetas e mbante me qera, Policia gjeti edhe 11 qese farmaceutike me një total prej 680 copë tableta, të dyshuara si lëndë narkotike të llojit “ekstazi”.
Gjatë operacionit u gjetën dhe u sekuestruan gjithsej 990 tableta lëndë narkotike e dyshuar e llojit “Ekstazi”.
Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
/abcnews.al