I gjithë parashikimi për turizmin veror do të implementohet nga Bashkia e Lezhës duke iu pershtatur situatës së krijuar.
Buxheti i ndryshuar për rindërtimin dhe më pas për pandeminë nuk ka prekur zërat në turizëm sepse sipas nënkryetarit Ermal Pacaj ky sektor është jetik për ekonominë lokale. Ai ka bërë të ditur disa nga hapat që do të ndërmerren per tu bërë gati për sezonin veror.
“Duke pasur parasysh situatat që u krijuan bënë që punët kryesorë të Bashkisë të kalojnë në plan të dytë duke i dhënë prioritet situatës së pandemisë. Është bërë një plan për ti dhënë një hov tjetër turizmit. Në Shëngjin Bashkia e Lezhës po bën të pamundurën për të pasur një turizëm cilësor”, tha Pacaj.
Duke iu referuar situatës do të rishikohen edhe taksat dhe tarifat vendore në mënyrë që kjo zonë turistike të jetë tërheqje për pushuesit vendas duke parë që këtë vit duhet të mbështetemi te qarkullimi i brendshëm.
“Strategjinë për turizmin e kemi menduar në bashkëpunim me biznesin”, tha më tej Pacaj.
Në Bashkinë e Lezhës është ngritur edhe një grup pune që do të analizojë pikërisht sezonin turistik të përshtatur për një situatë pandemie në mënyrë që të jenë gati për të funksionuar edhe ketë verë./abcnews.al