Serge Gnabry është njeriu i momentit te Bayern Munchen. 24-vjeçari shënoi një “poker” golash në mesjavë në fitoren 2-7 përballë Tottenhamit në Champions League.
Gjermani me origjinë nga Bregu i Fildishtë ka zbuluar një detaj interesant në lidhje me të kaluarën e tij. Në moshën 12-vjeçare kreu një provë të Bayerni dhe e kaloi me sukses atë, por dikush e detyroi të mos bëhej pjesë e klubit bavarez.
Ishte babai i tij ai që e pengoi të transferohej në Mynih dhe e lejoi të bëhej pjesë e ekipit të vendlindjes. Gnabry tregon gjithçka në prononcimin e dhënë për Bayern Magazine 51. Atë periudhë vuajti jashtë mase, ndërsa sot i kupton vendimet e babait të tij.
“Më besoni, isha bërë si i çmendur. Isha i trishtuar dhe ndihesha keq. Qaja shumë, por babai im as që donte t’ia dinte. E kishte ndarë mendjen dhe asgjë nuk mund të ndryshonte. Më lejoi të shkoja te Stuttgarti në moshën 12-vjeçare dhe jo te Bayerni. Më duhet ta pranoj se, duke parë rrjedhën e karrierës time, vendimet e babait tim nuk kanë qenë të gabuara”, përfundon Gnabry. /abcnews.al