Sekreti gjerman: Pse koronavirusi po vret kaq pak?

schedule10:32 - 5 Prill, 2020

schedule 10:32 - 5 Prill, 2020

Pandemia e ka goditur rëndë Gjermaninë, duke shënuar me më shumë se 92,000 njerëz të infektuar. Por përqindja e rasteve fatale ka qenë jashtëzakonisht e ulët në krahasim me ato në shumë vende fqinje.

Sheshi “Potsdamer” në zemër të Berlinit,  ishte gati i zbrazët të shtunën, pasi njerëzit i respektuan urdhrat për të qëndruar në shtëpi.

Qytetarët kanë nisur ti quajnë taksi “korona” automjetet që mbartin mjekë të cilët lëvizin rrugëve boshe të Heidelberg për të kontrolluar në shtëpi pacientët që kanë pesë ose gjashtë ditë të sëmurë me koronavirus.

Këta mjekë bëjnë analiza të gjakut për të identifikuar ata persona që kanë shenja përkeqësimi.

Mjekët mund të sugjerojnë shtrimin në spital edhe për një pacient që ka simptoma të buta, pasi shanset për të mbijetuar janë më të shumta nëse trajtimi në spital nis që në fazat e para.

“Ka një pikë kritike në fund të javës së parë,” thotë Prof. Hans-Georg Kräusslich, drejtuesi i virologjisë në Spitalin Universitar të Heidelberg – një nga spitalet më të njohur në Gjermani.

“Nëse jeni një person me probleme në mushkëri, përkeqësimi do të shfaqet menjëherë pas javës së parë”.

Taksitë e “koronës” në Heidelberg janë vetëm një iniciativë e këtij qyteti.

Por ato ilustrojnë edhe një nivel të admirueshëm të angazhimit të burimeve publike në luftën kundër epidemisë, masa që ndihmojnë në shpjegimin e një prej enigmave më intriguese të pandemisë:

Pse numri i vdekjeve në Gjermani është kaq i ulët?

Covid-19 dhe sëmundja që ai shkakton e kanë goditur fortë Gjermaninë:

Sipas Universitetit Johns Hopkins, vendi kishte më shumë se 92,000 infeksione të konfirmuara laboratorike deri në mesditën e së shtunës, pra më shumë se çdo vend tjetër, përjashtuar Shtetet e Bashkuara, Italinë dhe Spanjën.

Por me 1.295 vdekje, shkalla e vdekshmërisë në Gjermani është 1.4 përqind, krahasuar me 12 përqind në Itali, rreth 10 përqind në Spanjë, Francë dhe Britani, 4 përqind në Kinë dhe 2.5 përqind në Shtetet e Bashkuara.

Edhe Koreja e Jugut, një model i uljes së kurbës, ka një shkallë më të lartë fataliteti, 1.7 përqind.

“Po flitet shumë për një anomali gjermane,” tha Hendrik Streeck, drejtor i Institutit të Virologjisë në Spitalin Universitar të Bonit.

Profesori Streeck ka marrë shumë telefonata nga kolegët e tij në Shtetet e Bashkuara, dhe gjetkë.

“Çfarë jeni duke bërë ndryshe? Pse niveli juaj i vdekjeve është kaq i ulët? – më pyesin ata.”

Në fakt qarkullojnë përgjigje që justifikojnë suksesin gjerman edhe me manipulimin e statistikave.

Porse e vërteta thotë se mosha mesatare e të infektuarve në Gjermani është më e ulët sesa në shumë vende të tjera.

“Shumë nga pacientët e parë e morën virusin në vendpushimet e pistave të skive në Austri dhe Itali. Ata ishin relativisht të rinj dhe të shëndetshëm”, tha profesori Kräusslich.

“Filloi si një epidemi e skiatorëve,” tha ai.

Ndërsa infeksioni u përhap, shumë njerëz të moshuar u prekën dhe niveli i vdekjeve, që 2 javë më parë ishte 0.2 përqind, tashmë gjithashtu është rritur.

Por mosha mesatare e të infektuarve mbetet relativisht e ulët, – 49. Në Francë, është 62.5 dhe në Itali 62, sipas raporteve zyrtare.

Një shpjegim tjetër për shkallën e ulët të vdekshmërisë është se Gjermania ka testuar shumë më tepër njerëz sesa shumica e kombeve.

Kjo do të thotë se kap më shumë njerëz me më pak ose aspak simptoma, duke rritur numrin e rasteve të identifikuara, por jo numrin e vdekjeve.

“Kjo ul automatikisht shkallën e vdekshmërisë në letër,” tha profesori Kräusslich.

Por ekzistojnë edhe faktorë të rëndësishëm mjekësorë dhe jo vetëm, që e kanë mbajtur numrin e vdekjeve në Gjermani, relativisht të ulët.

Testimi, trajtimi i hershëm dhe në gjerësi, shumë shtretër të kujdesit intensiv, dhe një qeveri e besuar, gjithashtu dhe udhëzimet për distancimin social, e të tjera, që respektohen gjerësisht.

Marrë nga New York Times

Përktheu për abcnews.al, Nevila Dervishi.