Sekretari Pompeo viziton Maqedoninë e Veriut

schedule09:31 - 4 Tetor, 2019

schedule 09:31 - 4 Tetor, 2019

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, të premten do të arrijë për vizitë në Maqedoninë e Veriut në kuadër të tureut në disa shtete të Ballkanit. Në Ohër, kreu i diplomacisë amerikane do të pritet nga presidenti, Stevo Pendarovski dhe kryeministri, Zorav Zaev ndërsa do të vizitoj; edhe një manastir në këtë qytet.

Nga qeveria, e cila ka vlerësuar lartë këtë vizitë. Përfaqësuesit qeveritarë kanë thënë se në takimet me zyrtarin e lartë amerikan do të bisedohet për zhvillimin në Maqedoninë e Veriut dhe në Ballkanin Perëndimor, në kontest të sigurisë, stabilitetit dhe integrimit euroatlantik si dhe rëndësisë që ka për arritjen e këtyre qëllimeve Marrëveshja e Prespës, që zgjidhi kontestin shumëvjeçar me Greqinë për çështjen e emrit.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, pas takimit të mërkurën në Shkup me presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, vizitën e sekretarit Pompeo e kishte vlerësuar edhe simbolikë të kthimit të madh amerikan në Ballkan.

“Bazuar në shtetet ku do të qëndrojë, në Itali, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Greqi, nënkuptohet se Pompeo nuk vjen në rajon për zgjidhjen e sfidave, por vjen për t’i falënderuar ato vende të cilët ndër vite ishin në kursin euroatlantik, duke i dëshmuar vendeve të rajonit se kjo është rruga më efikase në ndërtimin e shoqërisë demokratike dhe me prosperitet. Vizita e tij është simbolikë për kthimin në dyer të mëdha të SHBA-së në Ballkan. Problemet kyçe te ne janë zgjidhur me mbështetjen e SHBA-së. Ato nuk do të mund të zgjidheshin pa përfshirjen amerikane në këto procese”, ka deklaruar Stevo Pendarovski.

Para vizitës, zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit, kanë thënë se vizita paraqet një sinjal mbështetës për Malin e Zi si vend i ri anëtar dhe për Maqedoninë e Veriut, rruga e së cilës është hapur tashmë për anëtarësim.

Një zyrtar i lartë i DASH-it ka thënë se Shtetet e Bashkuara mbeten shumë të përqendruara në rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili në anën strategjike, është i rëndësishëm për vizionin e bashkimit, lirisë dhe paqes të Evropës.

Vizita e sekretarit amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka rritur edhe masat e sigurisë në shtet.

Qyteti i Ohrit ku pritet të qëndron kreu i diplomacisë amerikane ka prani të shtuar të policisë dhe të agjentëve të sigurimit shtetërorë, ndërsa do të ketë edhe një devijim të qarkullimit të automjeteve për të mundësuar lëvizjen e papenguar të delegacionit të lartë nga SHBA-ja.

Vizita e sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, është e para e një niveli kaq të lartë që nga vizita e ish-sekretarit, Colin Powell, 19 vjet më parë. /REL

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!