Sekretari britanik i Drejtësisë, Dominic Rab, tha se presidenti rus, Vladimir Putin, rrezikon të përfundojë në burg për krime lufte, citon The Guardian.
“Mendoj se burgu është një rrezik shumë real që ai duhet ta mendojë tani. Jo vetëm Putin, por çdo komandant që vepron në Ukrainë, duhet të marrë në konsideratë se mund të hetohet nga ICC (gjykata penale ndërkombëtare) për krime lufte”, tha sekretari britanik.
Ndërkohë në ditën e nëntë të luftës tanket ruse sulmuan termocentralin më të madh bërthamor në Evropë, duke sjellë frikë për katastrofë ’10 herë më të madhe se Çernobili’ e cilësuar si katastrofa më e madhe e njerëzimit e ndodhur shumë vite më parë. Bëhet fjalë për bombardimin e një termocentral bërthamor në Zaporizhzhia.
Lexo edhe:150 radio në 25 vende të Europës luajnë njëkohësisht melodinë e paqes të John Lennon
Pas sulmit të termocentralit në Zaporizhzhia të Ukrainës, i cilësuar si më i madhi në Evropë, ministri ukrainas i Energjisë, Herman Halushenko bëri thirrje për ndërhyrjen e NATO-s në luftën e shpallur nga Rusia .
“Kjo është arsyeja pse ne kërkojmë jo vetëm një vlerësim profesional të asaj që po ndodh, por një ndërhyrje reale, me masat më të ashpra, duke përfshirë ndërhyrjen e NATO-s dhe vendeve me armë bërthamore ”, tha Halushenko përmes Facebook.
Ai tha se termocentrali bërthamor, më i madhi në Evropë, ishte bombarduar nga tanket dhe avionët rusë .Ministri ukrainas tha gjithashtu se kishte një bisedë telefonike me Sekretaren e Energjisë së SHBA-së, Jennifer Granholm , dhe bëri thirrje për vendosjen e një zone ndalim-fluturimi në Ukrainë./abcnews.al/