Nezar Seiti, i cilësuar nga drejtësia italiane si “financieri” i grupit të “Habilajve” ka dëshmuar në Prokurorinë e Katanias. Disa javë pasi u ekstradua në vendin fqinj, Seiti ka dhënë shpjegime të hollësishme gjatë një dëshmie, që pritet t’i vihet në dispozicion edhe prokurorisë shqiptare.
Disa javë pas u ekstradua nga Shqipëria në Itali për llogari të hetimit të grupit të “Habilajve” nga Prokuroria e Katanias, Nezar Seiti, ka folur për hetuesit e vendit fqinj.
Burime pranë mbrojtësve të tij konfirmuan se Seiti ka dhënë shpjegime të hollësishme para prokurorëve italianë, në lidhje me dyshimet e ngritura ndaj tij si “financier” i grupit kriminal të trafikut të drogës.
Kjo dëshmi pritet të vihet në dispozicon të Prokurorisë për Krimet e Rënda. Burime të rezervuara bënë me dije se në dëshminë e tij Seiti ka përmendur edhe anëtarë të sistemit të drejtësisë shqiptare, por nuk bëhet e qartë se në ç’rrethana.
Nezar Seiti u arrestua në 19 tetor të vitit të kaluar në fshatin Babicë të Vlorës në zbatim të një urdhër-arresti të Gjykatës së Katanias.
Në të njëjtin operacion u sekuestrua nga policia një sasi prej 4 ton kanabis. Për këtë shkak, përvec procedimit italian për të u regjistrua edhe një procedim në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Paralelisht për të u caktua një maës sigurie “arrest në burg” për qëllime ekstradimi nga Gjykata e Tiranës dhe një tjetër masë “arrest në burg” nga Krimet e Rënda.
Ekstradimi i tij në 25 janar shkaktoi përplasje të forta institucionale si edhe politike mes qeverisë dhe opozitës.
Gjatë qëndrimit në paraburgim në Shqipëri Seiti pati refuzuar të japë shpjegime për prokurorët. Në mungesë të dëshmisë së tij, gjatë muajit shkurt Prokuroria iu drejtua me një letërporosi drejtësisë italiane, ku kërkonte marrjen në pyetje të Seitit./abcnews.al