“S’e kisha menduar kurrë këtë pandemi”! Topi: Njerëzit grumbull, shkujdesje popullore

schedule19:30 - 25 Nëntor, 2020

schedule 19:30 - 25 Nëntor, 2020

Doktor Flamur Topi, mjek i përgjithshëm në një bisedë me gazetaren Jonida Shehu në Radarin Informativ në “ABC” u kërkoi qytetarëve shqiptarë që të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë masat anti-covid, për t’ua bërë më të lehtë punën mjekëve, që ndodhen në vijën e parë të zjarrit në luftë me koronavirusin. Ai tha se ka një shkujdesje popullore dhe masat nuk respektohen.

Intervista e plotë e Flamur Topit
Doktor si je?
Mirë jam deri tani.

Doktor, po kujdesesh për veten?
Po, natyrisht si shumë të tjerë. Jeta është e shtrenjtë për cilindo pavarësisht moshës, nëse je edhe specialist i fushës së mjekësisë, përgjegjësia është më e madhe për veten dhe të tjerët.

E kishe menduar ndonjëherë që do ta përjetojë një pandemi të tillë?
Kurrë, jo! Unë kam një përvojë të gjatë mjekësore. Që vitet ’57 dhe deri tani, kam jetuar me problemet e mjekësisë, por kurrë nuk kam parë apo ndeshur me një situatë të tillë të jashtëzakonshme. Humbjet kudo janë trishtuese, shumë të madha, aq sa të depresojnë.

Ju jeni futur në këtë gjendjen e panikut?
Mërzitje po. Nga mëngjesi dhe deri në darkë vetëm covid, covid, covid. Është ca traumatike. Duhet menduar edhe pak për psikikën njerëzore. Secili pak temperaturë të ketë, mendja i shkon atje, obobo më kapi. Kur shikon dhe dëgjon që kanë humbur jetën edhe mosha të reja, kjo të bën edhe më shumë, të merakosesh, të hysh në atë gjendje paniku.

Ju si po ruheni?
Nuk mund të mburrem që të them se jam i sigurt si po kujdesem për veten, se nuk e di nga të vjen dhe si të vjen. Unë bëj maksimumin, mbaj maskën, respektoj distancën, shmang qëndrimet e gjata në cdo ambient.

Nuk është se jeni i izoluar?
Nuk po e quaj izolim, po i kam rralluar kontaktet, dhe në moshën time nuk mbetet gjë tjetër veçse ti rrallosh, se nëse mosha jonë preket, është rrisk shumë i madh.

Si e kemi menaxhuar ne?
Institucionet po bëjnë maksimumin. Unë mendoj që ne ua kemi vështirësuar shumë. Mosha mbi 60-vjeç grumbull, luajnë, luajnë domino, rrugës shoh njerëz që ecin të shkujdesur, vetëm formalisht mbajnë maskën. Ka një shkujdesje mbarëpopullore. Vetë ne si popull, ua kemi vështirësuar shumë, do të duheshin, jo vetëm një spital por edhe 20, do të ishin të pamundur.

Nëse do të infektoheshit do të shkonit në spital apo shtëpi?
Si mjek, unë besoj që di ta kontrolloj situatën time. Nëse kam simptoma të lehta patjetër në shtëpi. Ama nëse gjendja del jashtë kontrollit atëherë doemos do i drejtohem institucioneve të mjekimit.

Sirtari i mjekimit tuaj është shtuar këto kohë?
Jo, janë preparate të përdorura, ka vetëm përpjekje në SHBA për të prodhuar barna të rinj me të cilat u mjekua edhe ish-presidenti Trump, kështu po e quaj se kemi një fitues të ri, Biden, ai pati sukses me atë trajtim, dhe i pari i SHBA-së, kuptohet.

E ke shtuar dozën e vitaminave?
I jepet shumë rëndësi vitaminës D mesa kam dëgjuar. Kalamajtë për fat të mirë pothuajse nuk i dëmton fare.

Ke një mesazh për mjekët?
Për kolegët kam dashurinë dhe respektin më të madh, më të vecantë. Kanë humbur cdo ditë, sot u ndanë nga jeta dy mjekë, njëri jo i vjetër. Lajme të tilla të vrasin shumë, të depresojnë. U lutem njerëzve, kujdesuni. Nëse je mbi të 50-tat gjërat vështirësohen shumë.

db/Abcnews.al