Sezoni i fundit në La Liga ishte më i miri në historinë e Granadas. Ekipi spanjoll siguroi në javën e fundit kualifikimin në Europa League dhe sfidën e parë evropiane do e luajë në “Niko Dovana” të Durrësit përballë Teutës vendase.
Trajneri i ekipit iberik, Diego Martinez Penas deklaron në konferencën për shtypin se i ka studiuar djemtë e Edi Martinit, duke vlerësuar fitimin e dy trofeve në sezonin e fundit dhe eliminimin e izraelitëve të Beitar Jerusalem.
“Kemi pak kohë këtu dhe kemi marrë shumë mikpritje. Në ditët e fundit kemi bërë një analizë të thellë të Teutës. Është një skuadër që ka eliminuar një ekip izraelit, vjen nga fitorja e SuperKupës dhe ne e dimë se do të jetë një ndeshje e vështirë.
Diferencat mes ekipeve? Ne e bëmë debutimin tonë në këtë kompeticion pas 90 viteve histori. Vetëm 15 vite më parë ky klub ishte në Kategorinë e Tretë. Është një iluzion i madh të jemi këtu“, deklaron trajneri 39-vjeçar. /abcnews.al