Ish-pronari i Ferrarit, Jean Todt, është rikthyer të flasë për Michael Schumacher. Ky i fundit është ende nën kujdesin e mjekëve edhe pse tashmë ka dalë nga spitali. Kujtojmë se ish-piloti gjerman u aksidentua në Alpet e Francës para shtatë viteve, ku qëndroi në koma për një periudhë të gjatë.
Tashmë ish-kampioni i botës në F1 ndodhet në shtëpinë e tij në liqenin e Gjenevës në Zvicër, ku është vizituar nga Todt. “E pashë Michaelin javën e kaluar. Ai po lufton. Shpresoj se bota do t’a ketë fatin t’a shikojë sërish atë. Kjo është ajo që ai dhe familja e tij dëshirojnë,” deklaroi francezi nga Hungari ku do të mbahet këtë javë gara e radhës në F1.
“Schumacher më i miri? E dua Michaelin, por është e pamundur të them se ai është më i mirë në histori. Ka emra si Juan Manuel Fangio, Jim Clark, Ayrton Senna dhe sigurisht dhe Schumacheri. Mund të them me bindje të plotë se ai ishte më i mirë i brezit të tij,” mbyll Todt, i cili e konsideron gjermanin si djalin e tij. /abcnews.al