Rreth dy të tretat e gjermanëve janë të pakënaqur me punën e kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe koalicionit të tij të përçarë, i cili është përballur me krizë pas krize që nga marrja e detyrës në dhjetor, sipas një sondazhi .
Vetëm 25% e gjermanëve besojnë se socialdemokrati po e bën mirë punën e tij, nga 46% në mars, sipas sondazhit të Insa për gazetën javore “Bild am Sonntag”.
Nga ana tjetër, 62% e gjermanëve mendojnë se Scholz – i cili ishte zëvendëskancelar nën udhëheqësen konservatore veterane Angela Merkel në koalicionin e mëparshëm qeverisës – po e bën punën e tij keq, një numër rekord, krahasuar me vetëm 39% në mars, shkruan Reuters.
Që nga marrja e pushtetit, Scholz-it i është dashur të përballet me luftën në Ukrainë, një krizë energjetike, inflacion në rritje dhe tani thatësira – të gjitha duke e shtyrë ekonominë më të madhe të Evropës në prag të një recesioni. Kritikët e kanë akuzuar atë se nuk ka treguar lidership të mjaftueshëm.
Mbështetja për Partinë e tij Social Demokratike (SPD) ishte vetëm 19%, tregoi sondazhi i Insa, shumë prapa konservatorëve të opozitës dhe partnerëve të vegjël të koalicionit të Gjelbërve, dhe nën 25.7% që SPD mori në zgjedhjet federale vitin e kaluar.
Rreth 65% e gjermanëve janë të pakënaqur me punën e qeverisë së koalicionit trepalësh të Gjermanisë në tërësi, krahasuar me 43% në mars.
Sondazhi vjen pas një jave veçanërisht të vështirë për Scholz.
Së pari, ai u gjend në qendër të kritikave duke mos kundërshtuar menjëherë presidentin palestinez Mahmud Abbas në një konferencë të përbashkët shtypi në Berlin, kur ai akuzoi Izraelin për kryerjen e “50 holokausteve”.
Më pas, të premten, ligjvënësit e opozitës në Hamburg e akuzuan atë për errësimin e së vërtetës në një seancë dëgjimore për një mashtrim të madh tatimor që ndodhi gjatë mandatit të tij si kryebashkiak i qytetit portual verior – akuza që ai i mohon. /abcnews.al