Urdhri për t’u luajtur ndeshja Danimarkë-Finlandë pas asaj që i ndodhi Christian Eriksen, ka krijuar debate dhe polemika të shumta. UEFA u shpreh se ishte dëshira e lojtarëve të skuadrave nordike për të zbritur sërish në fushe dhe për të përfunduar 50 minutat e mbetura.
Ndryshe mendon Peter Schmeichel, ish-portieri dhe kapiteni i Danimarkës. Babai i Kasper Schemeichel titullarit të kombëtares dhe Leicester City, Kasper Schmeichel ka thumbuar UEFA-n në prononcimin e dhënë për ITV’s Good Morning Britain.
“Ky është një debat interesant. Lexova dje një citim nga UEFA, ata deklaruan se ndeshja Danimarkë-Fanlandë rifilloi prej insistimit të lojtarëve, por unë e di që nuk është e vërtetë. Lojtarët kishin tre opsione. I pari ishte që të niste ndeshja menjëherë dhe të përfundonin 50 minutat që kishin mbetur për t’u luajtur.
Mundësia tjetër ishte të luhej të dielën (dje) në orën 12, ndërsa opsioni i tretë ishte humbja e ndeshjes 0-3 në tavolinë. Kështu që mendojeni si për vete. A ndikoi dëshira e lojtarëve për të luajtur? A ishte realisht zgjidhja e tyre? Nuk mendoj se kishin mundësi për të zgjedhur.
E patë konferencën e trajnerit të Danimarkës, ai u shpreh se ishte penduar seriozisht për faktin që lojtarët e tij u rikthyen në fushë. Kam biseduar me Kasper, ai është i tronditur. Nuk e di se sa ndikim afatgjatë do të ketë ngjarja te lojtarët e Danimarkës. Ishte një skenë dramatike, dikush kishte nevojë për debrifilator për t’u rikthyer sërish në jetë“, theksoi Peter Schmeichel. /abcnews.al