Një hulumtim i organizatës së shoqërisë civile “Save the Children” me qendër në Londër zbuloi se këtë vit mbi 17.6 milionë fëmijë do të lindin në uri.
“Save the Children” publikoi analizën e saj të re në Ditën Botërore të Fëmijëve, duke përdorur të dhënat më të fundit të Organizatës së OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) lidhur me vendet për përhapjen e kequshqyerjes dhe duke përdorur parashikimet e OKB-së për numrin e lindjeve.
Në analizë thuhet se këtë vit mbi 17.6 milionë fëmijë do të lindin në uri dhe se kjo shifër nënkupton rritje me 22 për qind në krahasim me 10 vite më parë.
Gjithashtu në analizë thuhet se destabiliteti ekonomik, konfliktet dhe ndryshimet e përsëritura klimatike kontribuojnë në krizën shkatërruese të urisë që prek çdo cep të botës dhe se 95 për qind e lindjeve me kequshqyerje në botë këtë vit do të realizohen në Afrikë dhe Azi.
Ndërkohë, tërhiqet vëmendja se të dhënat nuk përfshijnë efektin e dhunës që përshkallëzohet në territoret palestineze nën pushtim mbi urinë dhe normën e lindjeve.
– Në Republikën Demokratike të Kongos 1.5 milion foshnje do të lindin në uri
Analiza përfshin parashikimin se Republika Demokratike e Kongos ku të paktën 25 për qind e popullsisë së saj përballet me urinë kronike, do të jetë “vendi me numrin më të madh të foshnjave të lindura me kequshqyerje këtë vit”.
Në RD të Kongos rreth 1.5 milion foshnje do të lindin në uri, thuhet në analizën ku parashikohet se kjo shifër “do të jetë shifra më e lartë e regjistruar për vendin” që nga vitin 2001 kur kanë filluar regjistrimet e FAO-s.
Gjithashtu parashikimet thonë se këtë vit në RD të Kongos do të jenë në ushqyerje të pamjaftueshme rreth 6.6 milionë fëmijë nën moshën 5-vjeç.
Organizata “Save the Children” në deklaratën lidhur me analizën, iu drejtua liderëve botërorë që mblidhen në Samitin Global të Sigurisë Ushqimore që mbahet sot në Britani dhe u bëri thirrje që të diskutojnë arsyet rrënjësore të pasigurisë akute të ushqimit dhe të ushqyerit.