Sarri: E pazakontë kjo që i ndodh Juventusit. Ronaldo jashtë forme? Si të tjerët

schedule09:17 - 18 Qershor, 2020

schedule 09:17 - 18 Qershor, 2020

Mauricio Sarri u shfaq i zhgënjyer pas humbjes me Napolin. Bardhezinjtë nuk ishin të saktë në goditjen e penalltive dhe ekipi i Gattuso ngriti trofeun e Kupës së Italisë. Për “Rai Uno”, Sarri foli për problemet e skuadrës së tij, formën e Ronaldos dhe tema të tjera.

“Ka shumë zhgënjim për klubin dhe tifozët, por në këtë moment nuk mund të bëjmë më shumë për shkak se na mungon forma. Na munguan disa futbollistë dhe duhet të bënim disa zgjedhje ndryshe nga se ndodh zakonisht. Kjo edhe për nivelin tonë fizik”, tha fillimisht Sarri.

Edhe ndaj Milanit Juventusi nuk shënoi dot, edhe pse iu dha një penallti në fillim të ndeshjes. “E mbajtëm mirë topin, por na mungon mprehtësia për të krijuar mundësi të rrezikshme shënimi.  Nuk mendoj se na mungon vendosmëria, pasi ishim të përqendruar për 90 minuta.

Dy ndeshje pa gol? Është e pazakontë, shumë e veçantë për ne, por kjo tregon mungesën e mprehtësisë pas një pushimi kaq të gjatë”. Më pas Sarri u pyet edhe për yllin e skuadrës, portugezin Cristiano Ronaldo, i cili është shfaqur dukshëm jashtë forme.

“Ai është në të njëjtën formë si të tjerët, si Douglas Costa dhe Paolo Dybala. Edhe atij i mungon mprehtësia”, shtoi trajneri i Juventusit, i cili më pas tha se nuk ka folu me lojtarët. “Pas ndeshjes nuk u thashë shumë gjëra lojtarëve. U zemërova dhe u zhgënjeva si ata. Në këto lloj momentesh është më mirë të heshtësh. Do të jetë më mirë të flasim në mëngjes”, përfundoi Sarri. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!