Autoritetet franceze kanë formalizuar akuzat ndaj Nicolas Sarkozy dhe së shpejti, ish-Presidenti do të dalë në gjyq për korrupsion dhe ushtrim të influencës politike.
Ish-Presidenti francez, Nicolas Sarkozy, do të përballet me një proces gjyqësor për korrupsion dhe për ndikim politik. Sipas raportimeve të mediave franceze, çështja në ngarkim të Sarkozy bazohet në një bisedë telefonike të përgjuar në vitin 2014, në të cilën ai përpiqet të influencojë gjyqtarët që po ndiqnin dyshimet për financim ilegal të fushatës së tij elektorale.
Gjyqtari Gilbert Azibert dhe avokati i zotit Sarkozy pritet të dalin gjithashtu në gjyq, pavarësisht se kanë mohuar çdo keqpërdorim. Ndërkohë, sa i takon padisë për korrupsion, ish-presidenti akuzohet se ka marrë financime nga lideri i dikurshëm i Libisë, Muamar Gaddafi. Gazeta “Le Monde” dhe agjencia e lajmeve “AFP” citojnë burime gjyqësore që konfirmojnë se Sarkozy do të dalë në gjyq.
Në bisedën telefonike, Sarkozy përdori një identitet të rremë, Paul Bismuth, dhe i ofroi një rol prestigjoz në Monako gjyqtarit Azibert në këmbim të informacioneve mbi çështjen për korrupsion të nisur ndaj tij. Ndërkohë, sa i takon akuzës tjetër për marrje fondesh nga trashëgimtarja e “L’Oreal” Liliane Betencourt me qëllim fitoren në zgjedhjet e vitit 2007, ai u shpall i pafajshëm./abcnews.al