Vetëm pak javë më parë u rikthye nga një dëmtim, që e la jashtë fushave të blerta, për thuajse 8 muaj, mirëpo duket se “makthet” e dëmtimit nuk janë larguar ende. “Dirigjenti” i mesfushës së Milan, Ismael Bennacer po shqetëson jo pak teknikun, Stefano Pioli, teksa duket se nuk është në 100% e tij, për sfidën e radhës së “Kuqezinjve”.
Përballja e fundjavës që sapo lamë pas, ku Milan u mund në “Brianteo”, me rezultatin e thellë, 4 me 2 rezultoi të ishte goxha “e rëndë”, për algjerianin, i cili jo në pak raste mori goditje të forta nga kundërshtarët e këto goditje duket se kanë bërë efektin e tyre, duke vënë në dyshim prezencën e 26-vjeçarit, për sfidat e radhës.
Ndërkaq, kujtojmë se sfida e radhës për “Djajtë” e Milanos do të jetë ajo e mbrëmjes të së enjtes, në transfertën e “Roazhon Park”, ndaj Rennes, në përballjen e dytë të vlefshme për fazën e 1/16-ve, të UEFA Europa League, me sfidën e parë, që u fitua nga italianët në “San Siro”, me rezultatin e thellë, 3 me 0 e pas kësaj sfide, 7 herë kampionët e Evropës i pret një “ferr” i vërtetë, teksa do të sfidojë fillimisht “Bergamaskët” e Atalanta-s, më 25 shkurt e më 1 mars do të ndeshet me “Shqiponjat” e Lazio. /i.m /abcnews.al