Në “Abc e Pasdites” me Ermal Peçin u njohëm me historinë e gjyshes më të moçme të qytetit të Rubikut, nënën Prena Ndue Biba. Nënë Prena këtë tetor festoi plot 100 vite jetë. E lindur më 1922, kjo mirditore ka kaluar jo thjesht vështirësitë në jetën e saj por etapa të rëndësishme historike për Shqipërinë dhe tranzicione të ndryshme në sisteme qeverisëse.
Por teksa kremton vitin jubile, ndalon në momentet më të rëndësishme të jetës së saj që në qendër kanë gjithmonë familjen. Nëna ka rritur 10 fëmijë, jo të gjithë prej tyre jetojnë sot. Ashtu e pamposhtur por e lodhur gjithsesi, rrëfen sakrificat e njëpasnjëshme si varfëria, mungesa e shkollimit, dhe sot një pension i vogël prej 7 mijë lekësh.
“Jo bre se kam jetuar boll, e kujtoj jetën time e lumtur fortë kam qenë por jam lodhur boll. Kam ngritur 2 kulla me burrin. Ka me jetu, kanë vdek krejt, veç kam ngel unë. Zoti i di punët e veta. Unë s’kam gjo mo, shpirtin kam veç. Një pension 70 mijë lekë, s’kam tjetër. Veç shpirtin, të pastërt e kam po s’të jep gjë. Veç kur të dali.” – shprehu nënë Prena mbi atë që është sot realiteti i saj.
E martuar në Pshtjesh të Mirditës, prej një viti jeton në Rubik ku dy zonja kujdesen për të. Fëmijët i ka në emigracion dhe tashmë takohen rrallë e më rrallë.
Për nënë Prenën jeta nuk jetohen në vetmi, dhe ky është mesazhi për të rinjtë. Të qëndrojnë afër familjes sepse ata janë shtylla kryesore ku çdokush prej nesh mbështeten. Por mbi të gjitha edukimi dhe shkolla, si një mangësi e madhe në rritjen e saj.
“Herët kanë thënë është marre me’ çu cucat në shkollë. Unë e kam çu më të parën, se nënë i thashë shkolla do të të jipet domosdo me veti. Qysh s’të merr malli për fëmijën tone? Po qysh t’boj. A ta mor mendja? S’dojsha të shkonin jashtë por halli i çoj, kanë shku për me fitue.”
1 shekull jetë nuk mund të përmblidhet në disa rreshta. Nënë Prena tregon për bashkëshortin dhe marrëdhënien mes tyre, vajzën që i ka shkuar partizane, e shumë momente të tjera që mund t’i ndiqni në intervistën e plotë në kanali zyrtar të YouTube, Abc News Albania. /abcnews.al