Sanksionet e reja, tregjet ruse në pikiatë

schedule23:20 - 14 Shkurt, 2019

schedule 23:20 - 14 Shkurt, 2019

Shqetësimi për sanksione të reja nga Uashingtoni ka shkundur tregjet financiare ruse. Rubla ka humbur ndjeshëm terren kundrejt dollarit, ndërsa janë dëmtuar edhe bankat, pavarësisht pretendimeve të Kremlinit se masat ndëshkuese të Shteteve të Bashkuara nuk kanë efekt mbi Rusinë.

Kërcënimi për sanksione të reja amerikane tronditi tregjet financiare ruse ditën e enjte. Vlerat e aksioneve dhe bondeve qeveritare ranë ndjeshëm dhe  kostoja e borxhit publik të vendit u rrit sërish, pak pasi ligjvënësit në Shtetet e Bashkuara prezantuan një legjislacion të ri që parashikon masa për të ndëshkuar ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane dhe në Ukrainë. Sanksionet e propozuara vënë në shënjestër borxhin publik të Rusisë, si dhe disa banka dhe kompani energjitike ruse.

Konkretisht, drafti ishte një version më i ashpër i propozimit që dështoi të miratohej në Uashington vitin e kaluar. Për pasojë, rubla ruse preku kuotën 67 kundrejt dollarit, niveli më i dobët i regjistruar që nga fillimi i vitit dhe humbi 1 pikë përqindje ndaj euros, duke u këmbyer me 75 rubla për euro. Rënia e re vjen edhe pse çmimet e naftës dhe derivateve të saj arritën nivelin më të lartë në tre muajt e fundit. Nafta është lënda kryesore e eksportuar nga Rusia dhe rritja e çmimit të saj zakonisht ndikon pozitivisht tek rubla, por këtë herë duket se impakti i sanksioneve ka qenë më i fortë.

Edhe treguesit në bursa pësuan gjithashtu rënie, ndërsa goditjen më të fortë e morën bankat. Aksionet për institucionin më të madh huadhënës të Rusisë, “Sberbank” ranë me thuajse 5 për qind. Ndërsa VTB, banka e dytë më e madhe ruse humbi 2.92 për qind. Duke reaguar, zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov ka deklaruar se Rusia është në gjendje të përballet me sanksionet perëndimore, por krerët e dy bankave kanë paralajmëruar se institucionet financiare duhet të përgatiten për situata edhe më të dizfavorshme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!