Sanksionet dëmtuan Kosovën/ Kreu i Odës Ekonomike: Qeveria Kurti ka shkatërruar imazhin e vendit

schedule14:36 - 4 Shkurt, 2025

schedule 14:36 - 4 Shkurt, 2025

PRISHTINË- Në katër vitet e qeverisjes së Albin Kurtit, Kosova ka shënuar rënie të ekonomisë dhe rritje të varfërisë. Sanksionet e vendosura nga perëndimi kanë dëmtuar kompanitë e mëdha të prodhimit në Kosovë, duke i detyruar të shkurtojnë numrin e të punësuarve.

Analistët si dhe njohësit e ekonomisë në Kosovë thonë se Albin Kurti është i vetmi përgjegjës për situatën në të cilën ndodhet vendi.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, u shpreh  se qeveria e Albin Kurtit në vend që të ishte mbështetëse kryesore e bizneseve në Kosovë, ka bërë të kundërtën, duke i penguar dhe dëmtuar ato.

Gjatë intervistës në “Money Report” në ABC News, Rafuna theksoi se politikat konfliktuale dhe konfrontuese të Albin Kurtit me aleatët perëndimorë e kanë dëmtuar imazhin e Kosovës dhe kjo klimë ka trembur investitorët.

Qeveria duhet të mbështesë më shumë bizneset. Nuk është shpenzuar fondi i buxhetit për investime. Biznesi u dëmtua nga Kurti. Qeveria e Albin Kurtit dëmtoi imazhin e Kosovës në sytë e investitorëve”, tha ai.

Ai foli dhe për USAID, ndërsa tha se SHBA me anë të këtij programi ka investuar miliona euro në Kosovë dhe largimi do ishte lajm i keq.

“Mbi 1 miliard dollarë janë investuar në Kosovë nga USAID dhe është një humbje shumë e madhe nëse USAID nuk vazhdon më tej në Kosovë”, tha ai.

Sa i takon programeve ekonomike, Rafuna tha se ndryshe nga Vetëvendosje, tri partitë opozitare kanë qenë konkrete në planet e tyre për rritjen dhe fuqizimin e ekonomisë.

“ Tri partitë opozitare kemi parë masa konkrete, se në çfarë mase kohore do të shtrohet dhe nga do vijnë këto masa për t’u implementuar. Kjo do ta çojë në zhvillim të qëndrueshëm të PBB-së”, tha ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!