Policia e Shtetit ka marrë të gjithë masat për të garantuar rendin dhe sigurinë për samitin që do të zhvillohet të mërkurën në Tiranë për Ukrainën.
Në një konferencë për shtyp, Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Rebani Jaupi u shpreh se në disa rrugë të kryeqytetit, do të ketë ndalim qarkullimi, për shkak të organizimit të samitit.
Rebani Jaupi: Në këtë kuadër, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Gardën e Republikës dhe me agjenci të tjera ligjzbatuese, ka hartuar një plan të detajuar masash, për garantimin e rendit publik, para, gjatë dhe pas aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë këtyre 2 ditëve. Në zbatim të detyrave ligjore, si dhe duke shfrytëzuar përvojën pozitive të fituar gjatë planifikimit, organizimit dhe menaxhimit të situatës së rendit dhe sigurisë publike, gjatë aktiviteteve të tjera ndërkombëtare të zhvilluara më parë në Tiranë, Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat, duke filluar nga pikat e kalimit kufitar, rrugëkalimet e delegacioneve dhe ambientet ku do të zhvillohen aktivitete gjatë Samitit për Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor, që zhvilllohet më datë 28.02.2024 dhe më datë 29.02.2024.
Masat e planifikuara konsistojnë në disa drejtime, konkretisht:
-Garantimi i rendit publik, para, gjatë dhe pas zhvillimit të aktiviteteve;
-Organizimi i shërbimeve policore, për sigurimin e të gjithë perimetrit të sigurisë;
-Sigurimi i delegacioneve përgjatë gjithë rrugëkalimit, nga Rinasi për në Tiranë;
-Eskortimi i delegacioneve nga aeroporti i Rinasit, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Rinas;
-Eskortimi i delegacioneve nga pikat e kalimit kufitar, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim;
-Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;
-Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samiteve etj.
Për sa i përket qarkullimit të automjeteve, masat kufizuese do të jenë si më poshtë: Më datë 27.02.2024, do të ketë bllokime të rrugëve me afat të shkurtër kohor, për qëllime sigurie në rrugëkalimin e delegacioneve që vijnë nga aeroporti “Nënë Tereza” dhe pikat e tjera të kalimit kufitar në drejtim të Tiranës, në varësi të kohës së lëvizjes së tyre;
Më datë 28.02.2024, nga ora 07:00 deri në largimin e delegacioneve pjesëmarrëse në aktivitetet e organizuara për Samitin, do të ketë ndalim pushimi dhe qëndrimi, duke filluar nga aeroporti “Nënë Tereza”, rruga e Rinasit – ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e madhe perëndimore, Rruga e Elbasanit, rrugët “Dervish Hima”, “Faik Konica”, “Ismail Qemali”, “Gjergj Filipi”, “Lek Dukagjini”, “Papa Gjon Pali II” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit;
Më datë 28.02.2024, do të ketë ndalim qarkullimi për automjetet, në fashat orare 08:00-11:00 dhe 15:30-17:30, nga aeroporti i Rinasit deri te ish-sheshi “Shqiponja dhe anasjelltas – Unaza e madhe perendimore, Rruga e Elbasanit, rrugët “Dervish Hima”, “Faik Konica”, “Ismail Qemali”, “Gjergj Filipi”, “Lek Dukagjini”, “Jul Variboba” dhe “Fatmir Haxhiu”;
Më datë 29.02.2024, nga ora 12:00 deri në orën 14:00 do të ketë ndalim qarkullimi, në Rrugën e Elbasanit, Unaza e madhe perëndimore – ish-sheshi “Shqiponja” – Qafë Kashar – Rinas-aeroporti “Nënë Tereza”.