Eksperti për çështjet e integrimit, Gledis Gjipali komentoi punimet e samitit të sotëm BE-Ballkani Perëndimor për Planin e Ri të Rritjes që u mbajt në Tiranë. Në një intervistë për “Tirana Live”, ai theksoi se ishte një samit që u mor me çështje që i prekin të gjithë si ajo e transaksioneve financiare.
“Ndryshe nga samitet e tjera, duket një samit më praktik dhe për çështjet e trajtuara që janë çështje që na prekin të gjithëve. Ka nevojë për dakordësinë politike por kanë impakt ekonomik të drejtpërdrejtë. Rasti i transfertave në euro është i rëndësishëm, lehtësimi i tregtisë pra një kohë më e shkurtër në dogana sjell rritje më të madhe ekonomike dhe menaxhimi dhe prurja e fondeve nga plani i ri i rritjes për zhvill ekonomik dhe social të vendeve të Ballkanit Perëndimor për të zbutur hendekun që është krijuar mes vendeve të zhvilluar të BE dhe të ballkanit që synojnë anëtarësimin.
U përmend një nga elementët e rëndësishëm është shpejtësia e disbursimit të këtyre fondeve apo projekteve që do të jetë mundësisht për të punuar përpara sezonit të verës, gjë që është e rrallë dhe për vetë BE për faktin se punojnë me faza programimi disa vjeçare, me ndihmën IPA, e cila do disa vite të programohet dhe më pas të arrijmë tek zbatimi i saj. Ndërkohë tani kemi një instrument më fleksibël që do të bëjë pikërisht, do të shmangë mangësitë e IPA dhe duke ardhur drejtpërdrejt tek buxhetet e shteteve dhe projektet që ndikojnë tek qytetarët, bizneset. Prandaj mendoj se ky samit është i rëndësishëm sepse u mor me çështje praktike dhe teknike të procesit se si ta përshpejtojmë këto mundësi që i ofrohen Ballkanit Perëndimor. Hera e parë që BE jep të tilla mundësi për vendet që nuk janë anëtare.“, u shpreh eksperti.
Duke u ndalur tek deklarata e komisionerit për zgjerim, Oliver Varhelyi për Tiranën, eksperti theksoi se krijimi i kushteve për të mbajtur samite të tilla tregon se vendi ynë është gjithë e më pranë BE-së.
“Është pozitiv ky vlerësim sepse nuk është i pari. Ka pasur disa samite të nivelit të tillë në Tiranë, qoftë ai i djeshmi, bëjnë që Tirana të kthehet nën një pikë të fortë të bashkëpunimit rajonal dhe evropian. Pra krijimi i kushteve në një kontekst pozitiv për mbajtjen e të tilla samiteve tregon që është Shqipëria është gjithnjë e më afër të qenit një vend evropian. Kjo ndikon si në aspektin politik të afërsisë me BE, edhe në atë të imazhit që është i rëndësishëm për qytetarët e BE.
Kjo është e rëndësishme sepse nuk mjafton vetëm dëshira e BE për të ndihmuar. Duhet edhe ne të jemi të aftë për të përfituar këtë ndihmë, e cila sigurisht që ka kushte. Por kjo ka faturën e saj sepse një vend duhet të vazhdojë të demokratizohet, të forcojë institucionet, të luftojë korrupsionin, janë të gjithë këto elementë që sa vijnë dhe intensifikohen me instensifikimin e procesit. Sa më afër BE të jemi, aq më shumë rritet përgjegjësia e vendeve tona si në nivelin politik, ashtu edhe në përafrimin e politikës së jashtme të sigurisë me atë të BE që tregon një avanci në mendësinë evropiane të shteteve tona. Elementë të rëndësishëm si reformat brenda vendet ashtu edhe marrëdhënia me BE, që bashkohen në qëllime dhe përdorimin e mjeteve të njëjta”, shtoi ai./abcnews.al