Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se Shqipëria dhe Mali i Zi po bëjnë punë shumë të mirë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në prag të fillimit të samitit BE–Ballkani Perëndimor në Tivat.
“Edhe Mali i Zi dhe Shqipëria po bëjnë punë shumë të mirë dhe janë afër qëllimit”, tha Von der Leyen.
Ajo iu referua procesit të zgjerimit të BE-së, për të cilin do të diskutohet me liderët e Ballkanit Perëndimor në samit, duke thënë se “BE-ja po i hap dyert, kandidatët duhet të përmbushin reformat. Me reformat vijnë investimet dhe kjo është pjesa e parë e diskutimeve të sotme”.
“Procesi i zgjerimit duhet të jetë më i shpejtë dhe kredibil”, tha zyrtarja evropiane duke folur për hapat e ardhshëm të Bashkimit Evropian lidhur me vendet kandidate nga Ballkani Perëndimor. Ajo shtoi se ky proces në vendet kandidate duhet të jetë “më i dukshëm” në mënyrë që “t’u shpjegojnë qytetarëve të tyre përfitimet e zgjerimit”, të cilat nënkuptojnë “më shumë siguri dhe përparim”.


