Samiti në Sofje/ Tusk, Juncker e Borissov: Integrimi i Ballkanit prioritet kryesor

schedule16:43 - 17 Maj, 2018

schedule 16:43 - 17 Maj, 2018

Samiti mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor është përmbyllur me deklarata positive. Drejtuesit e Unionit ripërsëritën se integrimi i rajonit është prioritet për Brukselin megjithatë nuk pranuan të flasin për data konkrete.

Me firmosjen e deklaratës së përbashkët që përmban shumë marrëveshje bashkëpunimi, përfundoi punimet samiti i mbajtur në Sofje mes Bashkimit Europian dhe 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pas kësaj drejtuesit më të lartë të Unionit dolën në një konferencë për shtyp. I pari që foli ishte, Donald Tusk, i cili e konsideroi shumë të suksesshëm këtë samit, megjithëse theksoi se nuk dëshiron të flasë për data.

Donald Tusk, President i Këshillit të Europës: “Ne sapo përmbyllëm një samit shumë të mirë mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Ky është ilustrimi më i mirë se integrimi i Ballkanit Perëndimor është prioritet kryesor për BE-në. Sot ne konfirmuam të gjithë perspektivën europiane për të gjithë rajonin. Ashtu siç e kam thënë edhe gjatë vizitave të mija në rajon, Bashkimi Europian do të mbetet partneri më i qëndrueshëm për Ballkanin Perëndimor. Për të shmangur çdo konfuzion, më lejoni që të jem shumë i qartë. Nuk shoh të ardhme tjetër për ballkanin përveç BE-së”.

Nga ana tjetër, organizatori i këtij samiti, kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov, i cili drejton presidencën e BE-së deri në qershor, i konsideroi punimet shumë frytdhënëse.

Boyko Borissov, Kryeministër i Bullgarisë: “Ju sapo patë presidentin Vuçiç dhe presidentin Thaçi që shtrënguan duart për marrëveshjen e interkonjeksionit. Kjo ishte diçka e pamundur edhe ta imagjinoje disa vite më parë. Ne patëm një diskutim shumë të frytshëm dhe të sinqertë”.

Presidenti I Komisionit Europian Jean-Claude Juncker u ndal më shumë tek çështjet ndërkombëtare të Unionit si marrëveshja bërthamore me Iranin si dhe mardhëniet tregtare me Shtetet e Bashkuara. Ai ritheksoi se vendet anëtare dhe Brukseli do të vazhdojë të rrespektojë paktin me Teheranin derisa Irani të respektojë akordin. Ndërsa për tarifat e vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump, Juncker nënvizoi se BE duhet të përjashtohet. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!