Kryeministri Edi Rama në një komunikim të zhvilluar me gazetarët në Shkup, foli për samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor, duke u ndalur edhe tek darka e zhvilluar me zyrtarë të BE dhe SHBA.
Kryeministri Rama u shpreh se ndodhej për herë të parë në një darkë ku të pranishëm ishin presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, duke theksuar se ishte një takim pozitiv. Rama gjithashtu nënvizoi se në atë takim, u zhvillua një komunikim pozitiv mes të gjithë palëve.
“Është hera e parë që unë jam në një darkë së bashku me Albinin dhe Presidentin Vuçiç dhe u bë një komunikim pozitiv mes të gjithëve. Dhe më rezulton që ky format dhe këto kërkesa që ka sot BE nga të gjithë për të na dhënë mundësinë që ne të marrim shumë më tepër mbrapsht në aspektin ekonomik dhe financiar flasin vetë për atë që më ka rënë goja gjithë këto vite, pasi ne duhet të integrohemi vetë brenda për brenda. S’jemi gati sepse kemi humbur kohë duke u marrë me terminologji. BE e ka bërë të qartë që kush do të bëhet shkak do të penalizojë vetveten. Në vend të merremi me përmbajtjen duhet të merremi me punë konkrete”, tha ai.
Pjese nga konferenca:
Jo, kishte një atmosferë shumë pozitive sepse pikërisht u bë gjëja e duhur, u fol për punë konkrete, u fol për temat e kësaj sfide shumë të madhe që është përfitimi me sukses i të gjithë vendeve të rajonit nga plani i ri i rritjes i Bashkimit Europian dhe nga mundësia e integrimit në tregun e përbashkët europian, gjëra për të cilat është shumë e qartë dhe është bërë fare e qartë edhe gjatë darkës së djeshme dhe gjatë ditës së sotme nga përfaqësuesi i lartë i Komisionit Europian, por edhe nga përfaqësuesit e administratës amerikane se në këtë proces nuk ka asnjë hapësirë dhe njëkohësisht patjetër nuk ka asnjë dëshirë për të dëgjuar çështje të natyrës politike, çështje të natyrës bilaterale e të tjerë, përkundrazi, është po ashtu shumë e qartë që çdo vend që do të bllokojë tjetrin në këtë proces do bllokojë vetveten dhe nuk do përfitojë dot nga ky plan.
– Mbrëmë keni pasur një takim informal. Nuk ju kemi parë juve së bashku me zotin Kurti dhe zotin Vuçiç bashkë që nga sulmi i Banjskës. U bënë shumë kohë. A kishit mundësi që të gjitha ato deklarata që keni mbajtur, qëndrime ndaj zotit Kurti apo një takim me zotin Kurti për shkak se e keni folur edhe ju prej kohësh, e thatë prapë në Lezhë që në Shkup mund të takohemi e mund të bisedojmë?
Kryeministri Edi Rama: Mos hyni në trajtimin e këtyre marrëdhënieve si marrëdhënie të natyrës personale. Këtu nuk ka asgjë personale dhe në fakt, është hera e parë që unë jam në një darkë së bashku me të dy, me Albinin dhe me presidentin Vuçiç dhe nuk më rezulton se ndodhi ndonjë gjë tjetër, përveçse u bë një komunikim pozitiv mes të gjithëve. Ashtu sikundër, ajo që më rezulton është që ky format dhe këto kërkesa që ka sot Bashkimi Europian nga të gjithë ne për të na dhënë mundësinë që ne të marrim shumë më tepër mbrapsht në aspektin ekonomik dhe në aspektin financiar, flasin vetë për atë që më ka rënë goja gjithë këto vite, që ne duhet të integrohemi brenda për brenda rajonit që të jemi gati kur të duhet të bëjmë një hap më tej në Bashkimin Europian dhe sot, nëse ne do të kishim bërë të gjitha gjërat që mund të kishim në kuadrin e Procesit të Berlinit dhe duke shfrytëzuar dhe mekanizmin e Ballkanit të Hapur si një mekanizëm pune për të vënë në jetë ato direktiva të Procesit të Berlinit, sot do të ishim gati, por nuk jemi gati sepse kemi humbur kohë dhe kemi harxhuar shumë energji, duke u marrë me terminologji, duke u marrë me “Jo, po ky procesi është tjetër, ai procesi është tjetër”, e të tjerë gjëra, që në fakt janë rezultat i mungesës së vizionit strategjik të përbashkët të të gjithë anëtarëve të një komuniteti prej 6 vendesh dhe mungesa e dëshirës për të ndarë çështjet e brendshme me këtë çështje të madhe që është sa e brendshme aq edhe e përbashkët sepse Bashkimi Europian na e ka bërë shumë të qartë që nëse nuk jemi bashkë, atëherë kush do të bëhet shkak do të penalizohet. Do të penalizojë vetveten sepse nuk do të përfitojë dot.
Në këtë aspekt, unë besoj që kjo që ka ndodhur këto 24 orë shumë pozitive, qoftë darka e mbrëmshme dhe qoftë dhe dita e sotme, kjo duhet t’i thotë diçka të gjithë atyre që në vend se të merren me përmbajtjen kur bëjnë komente, kur bëjnë kritika, kur bëjnë analiza, kur bëjnë gjyqe publike, qoftë si individë në rrjete sociale, qoftë si zëdhënës të publikut nëpër klube mediatike, të kuptojnë se e vërteta është që asgjë e keqe nuk ndodh nga të takuarit dhe nga të folurit dhe në fund të ditës, paqja dhe bashkëpunimi është në interes të të gjithëve, ndërkohë që konflikti dhe ndasia është vetëm në interes të politikanëve për një kohë të shkurtër, jo për një kohë shumë të gjatë./abcnews.al/