Shqipëria do të mirëpresë Samitin e NATO-s në 2027, një arritje që reflekton besimin e aleatëve dhe rolin gjithnjë e në rritje të vendit në sigurinë euroatlantike. Ky angazhim po mbështetet me investime konkrete, rritje të kapaciteteve dhe zhvillimin e një industrie moderne të mbrojtjes.
Në kantierin e ndërtimit të Guna Tactical, pjesë e KAYO-s, po merr formë një projekt që shkon përtej investimit në prodhimin e uniformave dhe pajisjeve ushtarake. Investimi prej 13.2 milionë eurosh, pjesë e marrëveshjes fillestare me MSSC Group, hap një drejtim të ri strategjik për Shqipërinë.
Në një kohë kur vendet e NATO-s po rrisin investimet në mbrojtje, me objektivin për të arritur deri në 5% të PBB-së, Qeveria Shqiptare ka rritur mbështetjen për sektorin e mbrojtjes. Përmes Aktit Normativ të Buxhetit 2026, kemi miratuar 10.3 miliardë lekë shtesë, duke e rritur financimin në 2.6% të PBB-së në përputhje me angazhimet e marra në kuadër të NATO-s.
Shqipëria është gati të pozicionohet si një partner konkurrues në industrinë e mbrojtjes. Tradita në manifakturë, fuqia punëtore e kualifikuar dhe afërsia me tregjet europiane janë avantazhe reale që po kthehen në kapacitete konkrete, duke projektuar, prodhuar dhe eksportuar produkte për forcat e armatosura dhe strukturat e sigurisë, jo vetëm në vend, por edhe në tregjet ndërkombëtare.
Me 1200 vende të reja pune dhe 3 kontrata të nënshkruara për furnizimin me veshje të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për periudhën 2026–2028, Guna Tactical po jep rezultatet e para konkrete.
Kjo nuk është një histori suksesi e izoluar. Së bashku me TIMAK Defence, dhe me “Myslym Keta Defence” po krijohet një zinxhir i integruar i industrisë së mbrojtjes shqiptare, i mbështetur nga partneritete strategjike që sjellin investime, teknologji dhe punësim të kualifikuar.
Një tjeter arritje konkrete është partneriteti me Fincantieri. Përmes KAYO-s, Shqipëria po hyn në një ndërmarrje të përbashkët për prodhimin e mjeteve lundruese, me synim edhe eksportin. Aktiviteti në Pashaliman do të rrisë kapacitetet e Forcës Detare, dhe do ta pozicionojë vendin si një pikë referimi për mirëmbajtjen dhe prodhimin e anijeve për partnerët e NATO-s.
Ky është vizioni ynë për ta kthyer Shqipërinë në një qendër rajonale të industrisë së mbrojtjes, duke forcuar njëkohësisht sigurinë kombëtare, ekonominë dhe integrimin në zinxhirët ndërkombëtarë të teknologjisë dhe prodhimit.



