TIRANË- Kryetarja e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani, Marsela Ceno, foli për Samitin e Diasporës, i cili u mbajt në Tiranë.
Gjatë intervistës në “Real Story”, Ceno tha se ngjarje të tilla ngjallin emocione dhe vlera kombëtare. Ajo tha se shqiptarëve në Diasporë nuk u intereson zhurma dhe zënkat mes politikanëve, por fokusi i tyre vihet tek kombi dhe çështjet e tij.
“Për ne ngjarje të tilla kanë vlerë emocionale dhe vlerë kombëtare. Është arritje shumë e madhe, që shqiptarë nga shumë treva kanë qenë prezentë duke iu përgjigjur thirrjes. Për sa i përket pjesë politike, neve nuk na intereson se cilat janë konfliktet mes politikanëve të ndryshëm”, tha ajo.