Samiti i Berlinit, Thaçi zbulon skenarin

schedule20:55 - 17 Prill, 2019

schedule 20:55 - 17 Prill, 2019

Lidhur me samitin e 29 Prillit në Berlin, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar se do të mbyllet me një deklaratë të përbashkët dhe jo një marrëveshje, që përflitet se mund të arrihet fshehurazi. Edhe kryeministri Haradinaj ka deklaruar se nuk është në dijeni të një akordi të mundshëm.

Presidenti i Kosovës Hahsim Thaci ka thënë se nuk do të ketë diçka të fshehtë që do të arrihet në takimin e 29 prillit në Berlin. Thaci ka thënë se takimi nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe Presidentit të Francës, Emanuel Macron  nuk është ftuar për të arritur ndonjë marrëveshje apo plan në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Bazuar në konsultat që kam zhvilluar, nuk do të ketë asnjë plan që do të propozohet për marrëveshjen Kosovë-Serbi. Për më tepër, nuk ka asnjë agjendë të fshehtë prapa këtij takimi”, ka shkruar Thaçi.

Ai ka treguar se në fund të këtij takimi, pjesëmarrësit do të dalin me një deklaratë të përbashkët që konfirmojnë perspektivën evropiane të Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i pyetur për një Draft marrëveshje të mundshme në Samitin e Berlinit, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha se nuk ka informata për një gjë të tillë.

“Nuk kemi informata të tilla, janë disa informata në medie, por nuk kemi informata të tilla dhe nuk e dimë që do të ketë. Si do që të jetë unë nuk jam i mandatuar me negociuat marrëveshje me Serbinë sepse Parlamenti ka mandatuar delegacionin shtetëror, platformën. Pra nuk e shoh rolin tim si negociues në tavolinë. Përfaqësojmë Kosovën në një Samit të rëndësishëm në Berlin”, tha Haradinaj.

Ndërsa për deklaratën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç për të ndërmarrë masa me 6 maj, tha se në vend të ultimatumeve vendimmarrësit serbë duhet të ofrojnë një marrëveshje për njohje reciproke mes dy shteteve. Gazeta vjeneze “Der Standard” ka raportuar se në samitin ballkanik do të diskutohet për mbylljen e kapitullit për cështjet e shëmbimit të territoreve dhe pritet të propozohet një status special për Veriun e Kosovës, që reflekton mbi idenë e Asociacionit të komunave serbe./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!