Samiti i BE/ Rrëzohet Frans Timermans, Macron i pakënaqur

schedule17:15 - 1 Korrik, 2019

schedule 17:15 - 1 Korrik, 2019

Pas 18 orësh diskutime liderët e vendeve të Bashkimit Europian dështuan të binin dakord mbi emrin e presidentit të ri të Komisionit Europian e drejtuesve të tjerë të institucioneve europiane. Kandidati i të majtëve Frans Timermans është rrëzuar nga 11 vende, të cilat kanë kërkuar të dinë edhe emrat e propozuar për postet e tjera para se të vendosin. Kjo ka sjellë pakënaqësi të dukshme nga Presidenti francez Macron, ndërsa kancelarja Merkel kërkoi që të vijohet në gjetjen e kompromisit sërish të mërkurën.

Dështon samitit i 28 liderëve europianë pas më shumë se 18 orë diskutimesh për Presidencën e Komisionit Europian dhe poste të tjera kyçe të institucioneve europiane. Një dështim që tregon ndarjet e mëdha politike në gjirin e 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian për ekipin e ri të institucioneve europiane. Emri më i diskutuar i kandidatit Frans Timmermans i grupimit socialist dhe demokrat është rrëzuar nga 11 liderë evropianë, të cilët kanë kërkuar të njihen me përbërjen e të gjithë ekipit të posteve para se të japin dritën jeshile për presidentin e Komisionit Europian: Mosarritjen e dakortësisë, presidenti francez, Emanuel Macron e e ka konsideruar një arsye më shumë për të refuzuar zgjerimin e BE-së.

Emanuel Macron, President i Francës: “E përfundojmë këtë ditë me atë që mund të quhet një dështim. Asnjë s’mund të jetë i kënaqur me një përfundim të tillë pas kaq shumë orësh. Kjo tregon problemet e thella që kemi. Ky dështim është ai i ndarjeve politike në gjirin e partisë politike konservatore europiane që kanë kundërshtuar disa liderë që mund të ishin aprovuar në bazë të propozimit të bërë. Nga ana tjetër, ndarje gjeografike midis vendeve; që bëri që samiti të shtyhet për nesër në orën 11.00 dhe të gjejmë në orët që vijnë pushimin e nevojshëm dhe qetësinë e shpirtrave”.

Angela Merkel, Kancelarja e Gjermanisë: “Sot kemi një rezultat të keq dhe duhet t’a pranojmë, sepse duhet të gjejmë një kompromis që ka më shumë avantazhe sesa dizavantazhe dhe nëse nuk kemi arritur sot nuk është e rëndësishme nëse samiti do të duhet të vijojë një ditë më shumë. Ne duhet të vendosim për Presidentin e Komisionit Europian duke ditur rrjedhojat që ka në nivelin e Parlamentit Europian. Por ka vende që thonë që do të marrin vendimin e tyre pêr presidentin e Komisionit Europian nëse e dinë se cili do të jetë përfaqësues i lartë i BE-së, apo presidenti i Këshillit. Pra ka shumë propozime, por ato nuk kanë marrë aprovimin e shumicës”.

Giuseppe Conte, Kryeministër i Italisë: “Është një paketë që është hartuar nga disa parti. Ndërkohë që ne e braktisëm parimin e spitzekandidat, kandidatët e propozuar nga grupimet e Parlamentit Europian, ne na u propozua sërish një paketë me Frans Timmermans si president i Komisionit Europian. Italia s’mund ta pranojë një proces të tillë që s’funksionon edhe pse s’kam asgjë me kandidaturën e Timmermans. U deshën 18 orë që të shpjegoja”.

Emanuel Macron, President i Francës: “Jam gjithashtu shumë skeptik për të gjithê ata që na shpjegojnê që e ardhmja e Europës është te zgjerimi i ri i saj, ndërkohë që ne nuk arrijmë të biem dakort midis 28 shteteve. Pra, unë do refuzoj çdo formë zgjerimi para një reforme të thellë institucionale të  Bashkimit Europian për të patur seriozitet”.

28 liderët europianë do mblidhen sërish nesër për të vendosur për Presidentin e Komisionit Europian, në mënyrë që të zgjedhin Presidentin e Komisionit Europian para zgjedhjes së Presidentit të Parlamentit Europian, vota për të cilin është fiksuar për të mërkurën.  /ABC News Albania 24/7