Samiti G7, masa të ashpra për ndryshimin e klimës

schedule10:50 - 13 Qershor, 2021

schedule 10:50 - 13 Qershor, 2021

Udhëheqësit botërorë, në takimin e sotëm në Cornwall do të miratojnë masa të ashpra për termocentralet me qymyr si pjesë e betejës kundër ndryshimit të klimës. Grupi i G7 nuk do të përdorë më impiantet e qymyrit, nëse nuk kanë teknologji për të reduktuar emetimet e karbonit.

Ky vendim vjen ndërsa Sir David Attenborough paralajmëroi se njerëzit mund të ishin “në prag të destabilizimit të të gjithë planetit”.

Ai tha se udhëheqësit e G7 po përballen me vendimet më të rëndësishme në historinë njerëzore.

Qymyri është karburanti kryesor që shkakton më shumë ndotje në botë dhe mospërdorimi i tij shihet si një hap i madh nga ambientalistët, por ata gjithashtu duan garanci që vendet e pasura do të përmbushin premtimet e mëparshme për të ndihmuar vendet e varfra të përballen me ndryshimin e klimës.

G7 do t’i japë fund financimit të gjenerimit  të qymyrit në vendet në zhvillim dhe do të ofrojë deri në 2 miliardë funte për vendet e varfra për të ndaluar përdorimin e karburantit. Ndryshimi i klimës ka qenë një nga temat kryesore në samitin tre-ditor në Cornwall.

Udhëheqësit e shtatë kombeve të mëdha të industrializuara – Britani, SHBA, Kanada, Japoni, Francë, Gjermani dhe Itali – pritet të përcaktojnë planet globale për të ulur emetimet nga bujqësia, transporti dhe prodhimi i çelikut dhe çimentos.

Ata gjithashtu do të angazhohen për të mbrojtur 30 për qind të tokës  dhe zonave detare deri në vitin 2030. Gjithashtu janë zotuar të përgjysmojnë emetimet e karbonit deri në vitin 2030, krahasuar me nivelet e vitit 2010.

Kryeministri Boris Johnson tha se nevojitet një fond prej 500 milion paund për të mbrojtur oqeanet dhe jetën detare.

“Fondi i planetit blu” do të ndihmojë vendet duke përfshirë Ganën, Indonezinë dhe ishujt e  Paqësorit, do të mbrojë ekosistemet bregdetare dhe shkëmbinjtë nënujorë koralë, dhe do të reduktojë ndotjen detare. s.ba/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!