Mbahet këtë të mërkurë në Londër samiti i radhës i Koalicionit të Vullnetit, një grup vendesh që mbështesin Ukrainën në luftën e saj ndaj Rusisë. Ky takim vjen pasi Bashkimi Europian nuk ra dakord për të përdorur asetet e ngrira ruse për të financuar mbrojtjen e Ukrainës.
Pas orësh të gjata diskutimesh, unioni nuk ra dakord për një hap të tillë, me qeverinë e Belgjikës që ka refuzuar të ndërmarrë përsipër ndonjë rrezik për përdorimin e parave ruse pa garanci të forta nga partnerët e saj europianë. Pjesa më e madhe e aseteve të ngrira, me vlerë rreth 225 miliardë dollarë, mbahet në Belgjikë.
Ndërkohë takimi i Londrës ka një tjetër qëllim. Kryeministri britanik Keirs Starmer do të përpiqet të bindë aleatët, që t’i sigurojnë Ukrainës më shumë raketa me rreze të gjatë veprimi për të goditur objektivat brenda territorit rus.
Zelensky, i cili udhëtoi nga Brukseli për në Mbretërinë e Bashkuar, shpreson që të sigurojë armët që ka kërkuar prej kohësh, të cilat sipas Kievit, mund të ndryshojnë rrjedhën e luftës.
Mes udhëheqësve që marrin pjesë në samit janë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, kryeministrja daneze dhe ai holandez. Ndërkohë liderë të tjerë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, i bashkohen samitit virtualisht.
Presidenti i Ukrainës shkon në takimin e Londrës pas dy fitoreve diplomatike për Kievin. Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj naftës ruse, ndërsa Bashkimi Europian miratoi gjithashtu paketën e radhës të masave ndëshkuese.
Por këto ende nuk e kanë ndalur luftën e Rusisë, pasi sulmet ndaj Ukrainës kanë vazhduar. Në rajonin e Kherson, të paktën dy persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën, ndërsa sulme ka pasur edhe në pjesë të tjera të Ukrainës./abcnews.al

