ANKARA- Kryeministri Edi Rama, ka reaguar pasi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte konfirmoi se Samiti tjetër i NATO do të mbahet në Shqipëri.
Me një video të shkurtër, Rama u shpreh se ky vendim është përgënjeshtrimi më i mirë për të gjithë ata që deklaruan se Samiti mund të mos zhvillohej në Tiranë.
Sipas tij, ka ikur koha ku të gjithë mund të bënin gjithçka me Shqipërinë.
“Po si thanë? Nuk do të bëhej samiti në Shqipëri? Kështu thanë, eee…Epo, ka ikur ajo kohë kur të tjerët bënin çfarë donin me Shqipërinë. Tani Shqipëria bën atë që thotë dhe thotë atë që bën. Kështu që samiti i ardhshëm do të jetë në Tiranë.”, tha Rama.
Më herët, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s u shpreh në konferencën përmbyllëse për shtyp të Samitit që zhvilloi punimet në Ankara se nuk është caktuar ende koha se kur do të mbahet Samiti. /abcnews.al



