Zëvendës kryeministri italian, Mateo Salvini, është takuar në Romë me lideren e ekstremit të djathtë francez, Marine Le Pen. Ata premtuan se do të jenë sëbashku si një alternativë në Europë. Le Pen u shpreh se modeli aktual ekonomik i Bashkimit Europian është pervers dhe se ai po braktiset nga të gjithë.
Në Maj do të kemi një Bashkim Europian që do të nisë nga vlera të reja kundër globalizimit. Është një betejë që po bëjmë sëbashku me Salvinin pasi Europa ka nevojë për një alternativë. Është kjo deklarata e lideres së Bashkimit Kombëtar të Francës, Marin Le Pen. Ajo ndodhej në Romë ku u takua me ministrin e Brendshëm italian.
Liderja e ekstremit të djathtë francez deklaroi se modeli ekonomik i Bashkimit Europian është pervers. E për këtë arsye, ai po braktiset nga të gjithë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina dhe India.
Nga ana e tij, zëvendëskryeministri italian Salvini u shpreh se do preferonte të thoshte komunitet europian nëse në muajin Maj më në fund do të vendoseshin ekuilibra që do të nxirrnin socialistët jashtë nga salla e pushtetit.
Sipas liderit të Legës, takimi me Marine Le Pen nuk është një takim elektoral, pasi të dy punojnë prej vitesh për një projekt të përbashkët për Europën: Shpëtimtarët e Europës janë këtu dhe jo në Bruksel, tha ai.
Salvini premtoi se me Frontin e Lirisë, që do të jetë dhe grupimi i përbashkët i ekstremit të djathtë francez dhe Legës në Itali, do të përpiqen të mbajnë në jetë ato pak gjëra të mira, vlerat e rrënjosura dhe interesat e përbashkëta europiane./abcnews.al