Salvini për Washington Post: Aneksimi i Krimesë është i ligjshëm

schedule13:23 - 20 Korrik, 2018

schedule 13:23 - 20 Korrik, 2018

Në një intervistë për Washington Post, ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini, u shpreh se aneksimi i Krimesë nga Rusia është i ligjshëm dhe se për Afrikën duhet një plan Marshall.

Nga plani Marshall për Afrikën deri tek projekti i një fronti sovran europian, por dhe rreth legjitimitetit të aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë. Është një intervistë e gjatë ajo e zv/kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm italian, Matteo Salvini për Washington Post, ku lideri i Legës shpalos dhe ambiciet e tij personale.

Emigracioni mbetet një pikë kryesore në vizionin politik të Salvinit, duke lënë disa herë në hije dhe kryeministrin Conte. Për këtë të fundit Salvini shprehet se punojnë në sintoni por duke përdorur tone të ndryshme. Zëvendëskryeministri shtoi se me kolegët e Lëvizjes Pesë Yjet çdo gjë shkon mirë deri në momentin që respektohen rregullat e qeverisë.

Përsa i përket krizës së emigrantëve, Salvini thekson se objektivi përfundimtar nuk është shpërndarja e tyre mes vendeve të ndryshme europiane, por ndalimi i tyre për të mbërritur në Europë. E për këtë arsye sipas tij, duhet ndërhyrë në Afrikë me një plan Marshall, për të përmirësuar kushtet e tyre të jetesës në vendet e origjinës.

Përsa i përket faktit që etiketohet si populist, Salvini thotë se e cilëson një kompliment pasi njerëzit si ai sjellin një vizion të një Europe ndryshe ku çdo vend është i lirë të vendosë politikën e tij ekonomike.

Në politikën e jashtme, Salvini vlerëson vendimet e marra nga presidenti amerikan Donald Trump për emigrantët, duke mbajtur fjalën që i ka dhënë zgjedhësve të tij. Njësoj si me njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit, për të cilin ministri i Brendshëm italian është shumë dakord.

Por nuk mendon njësoj si Trump, përsa i përket marrëdhënieve me Rusinë duke filluar nga sanksionet që duhen hequr sipas tij. Kjo pasi jo vetëm nuk po funksionojnë por dëmtojnë eksportin.

Ndërsa për aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë, Salvini e gjykon si të ligjshëm pasi ndodhi pas një referendum. Ai tha se në Krime ka disa zona historikisht ruse e që i përkasin me ligj federatës ruse. Ndërsa për atë që thuhet se referendumi u koordinua nga ushtarët rusë, Salvini thotë se është një këndvështrim, por jo i tij./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!