Gjatë qëndrimit të tij në Moskë, ku është takuar me homologun rus, ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini, u shpreh se Italia mund të përdorë veton për sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë. Kjo sepse sipas tij, sanksionet nuk kanë dhënë asnjë rezultat dhe dëmtojnë ekonominë italiane.
Fillimisht synon të bindë partnerët europianë nëpërmjet dialogut, por pa përjashtuar përdorimin e vetos përsa i përket sanksioneve ndaj Rusisë. Në këtë mënyrë zëvendëskryeministri, por dhe ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Salvini, deklaroi se sanksionet në fuqi janë një dëm i konsiderueshëm për ekonominë italiane dhe i kushtojnë rreth 7 milionë euro në ditë.
Nga ana e tij, Salvini ka ndërmend të përforcojë investimet reciproke mes dy vendeve, të promovojë bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit dhe emigracionit të paligjshëm dhe me pjesëmarrjen e Moskës në misionet në Afrikën e veriut. Gjatë takimit në Moskë me homologun e tij rus, Vladimir Kolokoltsev, Salvini u shpreh se Italia do të arrijë të bindë partnerët me shifra.
Por në të njëjtën kohë nuk do të hezitojë të përdorë veton kundër kohëzgjatjes së sanksioneve kundër Rusisë. Minsitri i Brendshëm italian nuk ka humbur rast për të thënë se një qasje e tillë këmbëngulëse e Italisë do të ketë dhe në dosje të tjera si bilanci europian dhe në çështjen e emigrantëve./abcnews.al

