Salih Mustafa nuk flet në Hagë: Do konsultohem me avokatin

schedule15:45 - 28 Shtator, 2020

schedule 15:45 - 28 Shtator, 2020

I akuzuari i Speciales, Salih Mustafa në seancën para Gjyqtarit të Procedurës paraprake në Hagë nuk ka pranuar që të deklarohet për fajësinë.

Ish-shefi i inteligjencës së FSK-së dhe ish-epror i UÇK-së, Mustafës i është komunikuar se për fajësinë mund të deklarohet në seancën e sotme, apo të vendosë që këtë ta bëjë brenda 30 ditësh.

“Brenda 30 ditësh do të thirreni që të pranoni fajësinë apo të deklaroheni fajtorë, nëse doni mund të deklaroni menjëherë nëse pranoni fajësinë apo të deklaroheni i pafajshëm. Do të ju pyes, a keni pasur mundësinë që t’i diskutoni akuzat me avokatin tuaj”, kanë thënë nga Specialja.

Ndërkohë, Mustafa është shprehur se për fajësinë nuk do të deklarohet sot, pasi iu duhet kohë për të diskutuar me avokatin.

“Nuk do të deklarohem sot, do të konsultohem me avokatin”, ka thënë ai.

Mustafa u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 shtator dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, më të njëjtën ditë. Aktakuza kundër Salih Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020.

Ajo e ngarkon Salih Mustafën me përgjegjësi penale individuale për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, që janë krime lufte sipas të drejtës ndërkombëtare. /abncews.al