Disa deputetë të opozitës janë shprehur kundër nismës së qeverisë për legalizimin e kanabisit. Një prej tyre është Ervin Salianji i cili në një reagim në rrjete sociale shkruan se Rama sipas tij ua faturon padrejtësisht qytetarëve kanabisin.
Postimi i Ervin Salianjit:
Rama faturon padrejtësisht shqiptarët për kanabisin! Kanabizimi nuk mund të jetë një faturë që duhet ta paguajnë shqiptarët dhe nga e cila të përfitojë Edi Rama. Sot me një vendim të parashpallur, Edi Rama i tha shqiptarëve se do të lejojë përdorimin e kanabisit mjekësor. Njeriu që për 8 vite kanabizoi çdo pjesë të territorit! Njeriut që i janë faktuar lidhjet me grupe kriminale dhe për këtë ka dhe drejtues pas hekurave të përfshirë në çështjet e trafikut të narkotikëve. Njeriu që përtej çdo paralajmërimi të ndërkombëtarëve, i dha mundësinë dhe hapësirën çdo trafikanti pa dhe me uniformë të kanabizojë Shqipërinë, sot ka zgjedhur tjetër rrugë. Asnjë qëllim të mirë nuk ka kjo nismë. Edi Rama thjesht po pregatit një territor shumë të sigurt për grupet kriminale, për të kultivuar lirisht në Shqipëri kanabis. Në 8 vite, Partia Demokratike dhe ne si ligjvënës kemi denoncuar lidhjet e qeverisë me krimin e organizuar në trafikun e leëndëve narkotike. Ndaj sot askush nuk mund të faturojë shqiptarët, për një kosto që e ka të gjithën personale!
/abcnews.al