Salianji në protestën e 7 korrikut, por a do e falin demokratët? Deputeti: Ata nuk janë as kishë dhe as xhami

schedule10:51 - 30 Qershor, 2022

schedule 10:51 - 30 Qershor, 2022

Deputeti i PD-së Ervin Salianji u shpreh se do të marrë pjesë në protestën e Sali Berishës që do të organizohet në datë 7 korrik.

Salianji deklaroi se i qëndron deklaratave të bëra pas 6 marsit, por që gjithmonë do të jetë në të njëjtën linjë me demokratët dhe votën e tyre të lirë.

“Secili të bëjë maksimumim, përgjegjësia bie mbi ata që e kanë organizuar, ajo që ka rëndësi është qe Shqipëria ka një mijë e një arsye për të protestuar. Kjo është arsyeja e kësaj forme reagimi, sepse vendi ndodhet në gjendje te mjerueshme ekonomike.

Demokratët nuk janë as kishë as xhami, unë s’kam ndryshuar asnjë qëndrimi që kam bërë pas 6 marsit, e ritheksoj unë kam bërë një betejë për demokratët, unë do të jem me ta, jam i privilegjuar që jam votuar në Korçë me numër masiv votash”, tha Salianji.

Salianji teksa ka konfirmur pjesëmarrjen në protestën e 7 korrikut duke theksuar se kjo protestë është forma e duhur e reagimit duke marrë parasysh problemet dhe gjendjen e mjerueshme të vendit.

Por a mendon ai se do ta falin demokratët, teksa në janar ishte në krah të Lulzim Bashës kundër Sali Berishës?

“Demokratët nuk janë as kishë dhe as xhami. Unë u qëndroj qëndrimeve të mia të 6 marsit. E kam bërë betejën për demokratët, që menduan ndryshe nga unë” tha ai.

“Uroj që shqiptarët të protestojnë si pas masakrës së zgjedhjeve të 25 Prillit në të gjithë qarkun e Kukësit. Ky është një rast që Prptestophet nga çdo shqiptar jo vetëm nga ata që jetojnë këtu por edhe ata që janë larg dhe që duan që Shqipëria të ndryshojë.” tha ai.

Deputeti i PD-së, Tomor Alizoti i njohur për qëndrimet e forta si kundër Lulzim Bashës ashtu edhe Sali Berishës deklaroi se do të marrë pjesë në protestën e 7 korrikut, të organizuar nga ish-kryeministri.

“Mua nuk më ndiqni ndonjëherë me kaq shumë kamera si këta superstarët e politikës, marr pjesë me kënaqësi në çdo protestë kundër Edi Ramës, për grupin e punës nuk më ka njoftuar njeri.
Unë do bashkëpunoj me të gjithë demokratët, protesta është e domosdoshme në këtë vend, në PD duhet të ishin marrë mendimet e të gjithë deputetëve. Ju falenderoj dhe për këtë vëmendjen e shtuar sot…” tha ai me ironi duke u larguar.

Protestës do i bashkohen edhe Ina Zhupa me Xhelal Mziun. “Më datë 7 korrik, çdo opozitar, çdo qytetar i pakënaqur nga kjo qeverisje, çdo socialist i ndershëm, çdo njeri që i ka ardhur deri në fyt duke i vënë shkelmin kjo lloj qeverisjeje duhet të vijë në shesh dhe të protestojë.

Detyra minimale e çdo deputeti, i cili është përfaqësuesi i popullit që ka marrë votat opozitare është që të jetë organizator dhe pjesëmarrës në protestë. Deputetët në qarqet e tyre përfaqësojnë ata qytetarë opozitarë që i kanë zgjedhur dhe është detyra e tyre funksionale si deputet për të qenë në grupet e punës.

Ne e kemi nisur punën 4 deputetët e Vlorës kemi qenë për t’iu bashkuar protestës dhe këtu nuk kemi qenë të ndarë. Në bindjen tonë ne mund të mbështesim njërin apo tjetrin, por kur vjen puna për të mbështetur qytetarët ne jemi të bashkuar”, tha Ina Zhupa

“Nuk është se kemi dalë në terren, por e rëndësishme është që në 7 korrik është një betejë për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe jo vetëm për demokratët. Nuk besoj se ka një situatë më kritike në familjet shqiptare se sa sot, kemi çmime rekord në botë dhe shumë herë më të larta se vendet e rajonit.

Kemi papunësinë më të madhe dhe korrupsionin më galopant që mund të ketë një shtet dhe pak ditë më parë zumë dhe vendin e 7-të në botë për sa I përket hashashit. Nuk është një protestë e Berishës, është një protestë e demokratëve kundër kësaj qeveria e cila nuk duhet të ishte në pushtet për shkak të vjedhjes së votave më 25 prill. Edhe ata socialist të ndershëm që e kanë votuar janë bërë pishman për shkak të situatës ekonomike”, tha Mziu.

Deputetja Flutura Açka tha se nuk do të jetë fizikisht në Tiranë në datë 7 korrik, por theksoi se protestën e saj e ka bërë çdo ditë me fjalë. “Unë nuk jam personalisht por çdo qytetar është i lirë të protestojë.

Qytetari është i lirë të protestojë pastaj unë kam qenë prej 30 vitesh në të gjitha protestat jo vetëm të PD e opozitës por në protestat e shoqërisë civile, është në natyrën time të protestoj. Pastaj nuk është e thënë jam apo s’jam fizikisht, protestat e mia i kam bërë me fjalë çdo ditë” tha ajo.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!