Salianji: Jam person nën hetim, më ka kallëzuar Agron Xhafaj

schedule12:09 - 12 Tetor, 2018

schedule 12:09 - 12 Tetor, 2018

Në vizitën e tij të tretë për dosjen “Babalja” tek Krimet e Rënda, deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji dha shpjegime në cilësinë e personit nën hetim. Gjatë dy orëve ai iu përgjigj prokurorëve, duke sqaruar si siguroi videon dhe emra të personave të tjerë që kanë dijeni për çështjen.

Për të dytën herë brenda pak ditësh, deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, u paraqit në Prokurorinë për Krimet e Rënda për t’u pyetur nga prokurorët e dosjes “Babalja”. Për gati dy orë ai dha shpjegime prokurorëve, por këtë radhë në cilësinë e personit nën hetim për akuzën e “kallëzimit të rremë”. Vend të konsiderueshëm në seancë kanë zënë pyetjet për video-përgjimin e Fredi Alizotit të publikuar prej tij të martën në programin “Opinion”. Salianji ia faturoi një deklarate të kryeministrit Edi Rama statusin e tij të ri si “person nën hetim”, por theksoi se kishte identifikuar persona të tjerë që kanë dijeni për çështjen.

“Fakte të tjera që gjenden në fashikullin e Prokurorisë, prokurorisë mund t’i kenë dalë nga vëmendja që Taulanti prej Librazhdi dhe Ard Veliu nga Delvina kanë paguar dhe kanë dhënë “një pako të mirë”  për dëshmitarin kryesor të prokurorisë”.

Pyetjes nëse i beson videos së parë apo të dytë të Fredi Alizotit Salianji iu përgjigj:

“Unë besoj në Zot, tek Alizoti beson Edi Rama”.  ​

Sipas burimeve pranë Krimeve të Rënda në deklarimet e tij Salianji ka pohuar se video-përgjimin e Fredi Alizotit e ka siguruar në qershor të këtij viti. Sipas tij, atë e kishte lënë në recepsionin e selisë së Partisë Demokratike Florenc Hoxha, ish-kreu i Policisë Bashkiake Tiranë. Sipas Salianjit, videoja e Alizotit ishte realizuar në momente relaksi dhe qetësie të plotë.  /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!