Në një prononcim për kamerën e ABC News, Ervin Salianji deklaroi se që nga mbrëmja e së shtunës e deri më tani janë arrestuar dhe shoqëruar rreth 100 persona. Mes tyre sipas, Salianjit kishte edhe të mitur. Ish-deputeti i PD-së foli nga protesta para Drejtorisë së Policisë së Tiranës që po zhvillohet në këto momente,
“Deri tani nëpërmjet mbrojtësve ligjorë që kemi dërguar gjatë natës së djeshme dhe mëngjesit kanë qenë rreth 100 persona të shoqëruar apo të arrestuar. Janë liruar mbi 30 në dijeninë time për shkak të mos pasjes së asnjë lloj prove, përfshirë edhe të mitur, të cilët janë shoqëruar padrejtësisht nga Policia e shtetit. Për të gjithë të arrestuarit dhe shoqëruarit që do kërkohet masa e arrestit në gjykatë nuk ka asnjë provë. Pra është shteti i parë në botë që të arreston dhe pastaj kërkon prova. Për këtë arsye ne jemi sot në mbështetje të tyre dhe kërkojmë lirimin e tyre pasi nuk ka asnjë vepër penale që të kenë kryer”, tha Salianji.
Ndër të tjera, Salianji theksoi se akti i arrestimit të sekretarit organizativ të PD-së, Sahit Dollapi ka qenë jo i ligjshëm dhe i paarsyeshëm. Ai i bëri thirrje prokurorisë që të hetojnë rastet e dhunës ndaj protestuesve. Gjithashtu ish-deputeti deklaroi se për shkak të menaxhimit të mirë të protestës nga ana e opozitës bëri që dje të mos kishte një përplasje përtej limiteve.
“Policia nuk ka si të ketë justifikim në një situatë ku duket qartazi dhuna ndaj një përfaqësuesi politik të PD-së, i identifikuar si i tillë sepse u prezantua si përfaqësues politik, për më tepër dhuna ndaj çdo qytetari në çdo rast ku ka kapërcim të situatës, policia është më e përmbajtur, më e trajnuar, është në shërbim të Kushtetutës dhe ligjit. Vetë lirimi i tij tregon që akti ka qenë jo proporcional, ka qenë kafshëror, përtej limiteve ligjore dhe kushtetuese dhe përtej limiteve të arsyes. I bëj thirrje prokurorisë që të mos marrë urdhra të drejtpërdrejtë nga kryeministri në zyrën e tij, por të nisë procedimin penal dhe të kërkojë arrestin e personave që ishin në krye të detyrës që shpërdoruan detyrën dhe duke e çuar dhunën në dimensione të tjera. Fati, menaxhimi nga ana jonë bëri që dje të kishte një përplasje që të ishte në limite dhe jo përtej limite”, tha Salianji./abcnews.al