Ish kryetari i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj mesditën e sotme i është përgjigjur Sali Berishës lidhur me akuzën e këtij të fundit se u shpërblye nga Rama vetëm gjatë ditës së sotme me 220 mijë euro.
Alibeaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook shkruan se ai nuk është me parimin e Xenit se për tu paguar për gjithçka.
Ndër të tjera ai shkruan se pas bojkotit masiv që demokratët dhe shqiptarët i bënë Berishës, ai vazhdon të hedhë llum dhe baltë si e vetmja mënyrë për t’i mbijetuar katastrofës së vet elektorale.
Ai thekson se dorëheqja e tij ishte për të mirë të demokratëve, ndërsa largimi i tyre është çlirim dhe frymëmarrje për ta.
“Pasi u bojkotua masivisht nga demokratët dhe shqiptarët, Sali Berisha vazhdon të hedhë llum dhe baltë si e vetmja mënyrë për t’i mbijetuar katastrofës së vet elektorale. I përjashtuari i madh nga politika, me 103 mijë vota demokratësh kundër tij e me 200 mijë të tjerë që e refuzuan dëshmoi qartë kush i ka shërbyer kujt!
Edi Ramës i duhet Sali Berisha dhe soji e sorollopi i tij i korruptuar për të justifikuar korrupsionin ku është zhytur ai dhe qeveria e tij.
Unë nuk kam qenë kurrë e nuk jam me parimin e Xenit, për tu paguar për gjithçka.
Sali, dorëheqja ime është akt që shkon për të mirën e demokratëve, largimi yt është çlirim dhe frymarrje për ta..”, shkruan Alibeaj./abcnews.al