Sali Berisha dy herë në muaj me detyrim në SPAK/ Avokati Beqiri: I detyruar ta respektojë, ndryshe do t’i ashpërsohet sërish masa

schedule13:31 - 3 Janar, 2025

schedule 13:31 - 3 Janar, 2025

TIRANË-Apeli i Posaçëm i GJKKO vendosi të caktojë masën detyrim paraqitje dy herë në muaj për ish-kryeministrin Sali Berisha për dosjen hetimore të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

SPAK kishte kërkuar rikthimin e Berishës në arrest shtëpie, duke kundërshtuar vendimin e GJKKO-së për lirimin e tij, në fund të muajit nëntor.

Avokati i njohur Idajet Beqiri, i ftuar në News Line, në ABC News tha se Berishës nuk duhej t’i hiqej masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Ai pohoi se Apeli në vendimin e sotëm korrigjoi një gabim ligjor, që ishte bërë me lirimin e tij nga masa e arrestit shtëpiak.

“Nuk duhet t’i hiqej masa e sigurimit. Prokuroria kërko dhe insistoi që ai të kthehej në arrest shtëpie, atëherë pse gjykata e Apelit i dha detyrim paraqitje, nga pikëpamja ligjore, Gjykata e Apelit korrigjoi një  gabim sipas ligjit”, tha ai.

Ai pohoi se Sali Berisha është i detyruar të respektojë masën e Apelit, pasi në të kundërt, ish-kryeministrit do t’i ashpërsohet masa sërish.

“Berisha duhet të tregojë edhe këtë radhë “burrërinë” në thonjëza të tij. Ky njeri e vuri veten mbi Kushtetutën dhe Kodin e Procedurës Penale, ku tha se duhej të merrej leje nga Kuvendi, të gjithë ne konstitucionalistët i thamë se duhet ta zbatonte këtë masë. Ai nuk e përfilli, pasi tha se edhe për detyrimin paraqitje duhej marrë leje nga Kuvendi. Ai është i detyruar të shkojë dhe ditën e hënë duhet të paraqitet. Në rast se nuk do paraqitej, ai do shkojë ose në arrest shtëpie ose në arrest me burg. Ky është vendim i formës së prerë, kanë të drejtë të bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë, por ditën e hënë duhet të shkojë të paraqitet në gjykatë. Do të shkojë me një këmbë, se nuk është trim aq sa hiqej, pasi ka gjasë të shkojë në arrest me burg.”, tha ai.

Avokati Beqiri pohoi se çështja për Berishën do të kalojë për gjykim, pasi janë të gjitha provat, që sipas tij provojnë fajësinë për dosjen “Partizani”.

“Nuk ka dyshim që çështja kalon në gjyq, janë prova të pakontestueshme, janë prova, që nuk mund t’i vendosësh në dyshim, sepse ata e dhanë provën e vet që në fillim që kur iu caktua masa e sigurimit. Gjyqtarja nuk ka alternativë tjetër, do ta kalojë çështjen për gjykim.  Mirë do ishte të kërkonte gjykim të shkurtuar, por avokatët e tij e kanë thënë  se ata marrin mendimin e Berishës dhe nuk veprojnë sipas arsyes logjike. Ai do të marrë vendimin e merituar nga 4-12 vjet burg”, tha ai.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!