Sulmuesi Mohamed Salah ka firmosur një kontratë të re 5-vjeçare me Liverpool-in.
Egjiptiani iu bashkua ekipit anglez verën e kaluar për një shifër prej 34 milionë paundësh nga italianët e Romës. Ai shënoi 44 gola në 52 paraqitje për Liverpool-in, duke u bërë shënjestra e shumë ekipeve të mëadh europiane.
Në kontratën e re nuk ka një klauzolë lëshimi, por është firmosur deri në 2023-shin.
“Tregon shumë qartë dy gjëra: besimin e tij tek Liverpool dhe besimin tonë tek ai”, tha trajneri i skuadrës, Jurgen Klopp.
Performancat e 26-vjeçarit kanë qenë të jashtëzakonshme këtë vit. Sëbashku me Mane dhe Firmino në sulm, ai e çoi Liverpool-in në finalen e Kievit kundër Real Madrid, të vlefshme për Champions League.
“Jam shumë i lumtur që kam firmosur një kontratë të re me klubin. Viti i parë në klub ishte një eksperiencë e mrekullueshme për mua dhe familjen time. Duhet të falenderoj të gjithë në Liverpool dhe tifozat”, tha ai.
Megjithë ndeshjet e mira gjatë gjithë sezonit, Salah nuk arriti ta ndihmojë shumë kombëtaren e tij në Botërorin e këtij viti. Ai shënoi dy gola në dy ndeshje, por Egjipti i tij nuk arriti të fitonte asnjë pikë./abcnews.al